Gati 1000 zogj ngelën të vrarë brenda një dite pasi u përplasën me një ndërtesë në Çikago.
Incidenti i pabesueshëm me 960 zogj të ngordhur ndodhi javën e kaluar në McCormick Place Lakeside Center dhe siç thekson BBC, ky është një numër që tejkalon shumë periudhat e mëparshme të migrimit.
Sipas raportit, ekspertët besojnë se migrimi jashtëzakonisht i rëndë, moti i keq dhe mungesa e veçorive “miqësore për zogjtë” në ndërtesa janë fajtorë për ngordhjen e zogjve.
Aktivistët po bëjnë thirrje që dritat e ndritshme në ndërtesa të fiken pasi ato mund të çorientojnë zogjtë.
Pas incidentit dramatik, zogjtë u mblodhën nga shkencëtarët dhe vullnetarët në Muzeun Field aty pranë, i cili monitoron McCormick Place, qendra më e madhe e kongreseve në Amerikën e Veriut, për zogjtë e ngordhur ose të lënduar.
Një nga ekspertët e muzeut, Douglas Stotz, i tha Radios Publike Kombëtare se “brenda natës patëm disfata sa për një vit”.
Ekspertët besojnë se një numër jashtëzakonisht i madh zogjsh po fluturonin brenda dhe rreth Çikagos dhe pjesëve të tjera të Cook County të mërkurën e kaluar, duke përfituar nga temperaturat e ftohta dhe erërat e favorshme.
Birdcast, një projekt monitorimi i tre universiteteve amerikane, vlerësoi se rreth 1.5 milionë zogj po fluturonin mbi Cook County natën e 5 tetorit, kur tragjedia ndodhi në McCormick Place. Përafërsisht në të njëjtën kohë, një stuhi kaloi mbi qytet, duke detyruar shumë nga zogjtë të zbresin në tokë, ku përballen me rrezik të shtuar nga dritat dhe dritaret./abcnews.al