Gjermania kundërshton pezullimin e ndihmës humanitare për Palestinën

schedule18:54 - 10 Tetor, 2023

schedule 18:54 - 10 Tetor, 2023

Gjermania është kundër pezullimit të ndihmës humanitare për popullin palestinez, i cili varet prej saj për nevojat e tij jetike, tha Ministrja e Jashtme Analena Burbock pak para këshillit të urgjencës së ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë, ajo i bëri thirrje Autoritetit Palestinez që të distancohet nga Hamasi.

“Do të ishte një gabim i plotë të pezullohej ndihma humanitare për popullatën civile, pasi miliona njerëz në territoret palestineze, duke përfshirë shumë fëmijë, varen nga ne për furnizime me ushqim, ujë dhe ilaçe,” tha Ministria e Jashtme në një deklaratë. Megjithatë, qeveria gjermane pezulloi dje ndihmën zhvillimore për territoret palestineze, për të rishikuar detajet e disponimit të saj.

“Evropa qëndron e bashkuar në anën e Izraelit. Terrorizmi i Hamasit është një pikë kthese dramatike dhe ka sjellë nivele të paparë dhune dhe frikë tek populli i Izraelit. Jemi thellësisht të tronditur. Mendimet tona janë me familjet e qindra të vdekurve. Takimi ynë urgjent sot është shprehje e solidaritetit tonë me Izraelin”, thekson zonja Burbock në deklaratën e saj.

“Vuajtja dhe vdekja e civilëve palestinezë është pjesë e strategjisë së terroristëve. Ajo që është veçanërisht tinëzare është se Hamasi fshihet në këtë situatë pas popullatës civile. Edhe në këtë situatë shumë të veçantë, mbrojtja e popullatës civile është prioriteti kryesor. Skenari i terrorizmit nuk duhet të ketë sukses. Hamasi dëshiron të ndezë një zjarr me terrorizmin e tij. Tani është e rëndësishme të parandalojmë aktorët e tjerë në rajon që të hedhin benzinë ​​në zjarr”, përfundon ministri i Jashtëm gjerman.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!