Prokuroria Speciale e Kosovës (PSK) njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet Z.V., i dyshuar për dhunë seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Aktakuza është ngritur për shkak të veprës penale ‘krimet e luftës kundër popullsisë civile’ nga neni 142 të Kodit Penal të Jugosllavisë ( i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale), aktualisht e inkriminuar si krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha PSK-ja në një njoftim për media të mërkurën.
Prokuroria Speciale tha se kjo është aktakuza e gjashtë që e ka ngritur deri më sot për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në katër prej gjashtë rasteve gjyqësore për dhunë seksuale gjatë luftës, të pandehurit janë duke u gjykuar në mungesë, njoftoi ajo.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Ndërsa, numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, nuk dihet.
Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e saj dhe në Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë atë si pjesë të territorit të saj./REL