Maurizio Sarri nuk e fsheh kënaqësinë e triumfit kundër Interit. Të fitosh në San Siro mbetet gjithmonë një emocion i madh, aq më tepër kur siguron një trepikësh që të dërgon në krye të renditjes.
Trajneri i Juventusit është i kënaqur me paraqitjen e djemve të tij, premton se loja e bukur do të përmirësohet në vazhdim dhe ka një mesazh për ekipin.
NDESHJA – “Parakalimi i Interit në renditje nuk ka ndonjë rëndësi të madhe në këtë moment të kampionatit. Më shumë rëndësi ka paraqitja, personaliteti dhe karakteri në një ambient të karikuar dhe përballë një skuadre që i kishte fituar të gjitha ndeshjet.”
TRIUMFI – “E merituam fitoren. Goli i dytë nuk lindi nga Sarrizmi, por nga kualiteti i këmbëve të lojtarëve të mi. Në 24 pasimet te goli i Higuain pashë këmbët e futbollistëve… Juventusi ka shumë kualitet. Kur pasimet janë të rrjedhshme krijohen raste të pastra. Provova Ronaldon, Dybala dhe Higuain së bashku, sepse po tentonim të fitonim ndeshjen. Kur pata ndjesinë se inercia po ndryshonte, zëvendësova Dybalanë e lodhur me Emre Can.”
DE LIGT – “Ai është një lojtar i fortë. Është akoma në fazën e përshtatjes me futbollin italian dhe me mënyrën se si mbrojmë ne. Dëmtimi i Chiellinit na ka detyruar të shpejtojmë përshtatjen e tij.”
PËRMIRËSIMI – “Duhet ta kontrollojmë më mirë ndeshjen në përgjithësi dhe të kemi një avantazh territorial ndaj kundërshtarit. Duhet të bëjmë më shumë presing, të ndalojmë iniciativat e tyre dhe të qëndrojmë më shumë në fushën e ekipit që kemi përballë. E respektoj pafund atë që ka bërë skuadra më parë dhe po tentoj të shtoj koncepte të reja me kalimin e kohës. Po përmirësohemi, kemi shumë kualitet, individualitet të mëdha dhe një pankinë plot. Nuk është e vërtetë që luaj gjithmonë me të njëjtin modul. Në karrierën time e kam treguar që ndryshoj shpesh.” /abcnews.al