Policia në Finlandë njoftoi sot se ka çmontuar një rrjet të trafikut të drogës i lidhur me krimin e organizuar suedez, teksa qeveria ka dhënë alarmin për krimin e organizuar në vend.
“Policia e Helsinkit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit zbuluan një organizatë tndërkombëtare të trafikut të drogës,” tha policia në një deklaratë.
Sipas hetimeve, kjo organizatë kishte transportuar në Finlandë me kamionë mbi 300 kg drogë të ndryshme, si kokainë, amfetamina, pilula ekstazi dhe kanabis. Policia sekuestroi mbi 100 kilogramë nga këto lëndë.
Sipas policisë janë arrestuar 30 persona, nga të cilët 17 janë në paraburgim. Të dyshuarit janë kryesisht të lindur në vitet 1990 dhe fillim të viteve 2000 dhe të kombësive të ndryshme, duke përfshirë suedez, britanik, somalez, serb, norvegjez, irakian, ukrainas dhe finlandez.
Në fillim të këtij viti, policia raportoi se kishte parë bashkëpunim midis bandave profesionale suedeze dhe bandave kriminale finlandeze të rrugës. Goditja e organizatave kriminale ishte një çështje kryesore në fushatën zgjedhore për partitë që formuan koalicionin e krahut të djathtë që erdhën në pushtet në qershor.
Nga viti 2006 deri në vitin 2021, numri i vdekjeve të lidhura me drogën në Finlandë është dyfishuar, me 287 vdekje në vitin 2021.
/abcnews.al