Ministri i shtetit për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, tha se vendet nuk duhet të dorëzohen për shkak të rënies së stoqeve të armëve, duke theksuar “Duhet ta mbajmë Ukrainën në luftë sonte dhe nesër dhe ditën e ardhshme”.
Heappey, i cili foli në Forumin e Sigurisë në Varshavë të Polonisë, deklaroi se Britania do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe se kjo është e natyrshme. Duke theksuar se vendet nuk duhet të dorëzohen për shkak të rënies së stoqeve të armëve, Heappey tha: “Duhet ta mbajmë Ukrainën në luftë sonte dhe nesër dhe ditën e ardhshme. Nëse ndalemi, automatikisht kjo nuk do të thotë se (presidenti rus Vladimir) Putini do të ndalet, do të thotë se ai ka fituar mundësinë për të arritur qëllimet që kishte në fazën e parë”.
Ai gjithashtu nënvizoi se vendet duhet të plotësojnë rezervat e tyre në rënie të armëve çdo ditë, duke vënë në dukje rëndësinë e rritjes së ritmit të prodhimit.
“Vendosëm që ta përgatisim veten edhe më mirë”
Kryesuesi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Rob Bauer, nga ana e tij theksoi se në përputhje me strategjinë e re të mbrojtjes së NATO-s, 300 mijë ushtarë mund të dislokohen brenda muajit të parë, në rast të një sulmi të mundshëm kundër Aleancës.
Ai mes tjerash theksoi se duhet të jenë të gatshëm kundër një armiku të keq dhe gjithnjë e më agresiv.
“Prandaj në vitin 2019 filluam të mendojmë dhe ndryshojmë strategjinë tonë ushtarake, kjo i hapi rrugë planeve më të detajuara, të cilët u miratuan në Vilnius”, tha Bauer.
Bauer gjithashtu theksoi se Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s ka zhvilluar plane rajonale, duke shtuar: “Ne vendosëm të përgatitemi më mirë për të pasur më shumë grupe beteje në krahun lindor”.
Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, njoftoi se do ta mbështesin Ukrainën aq kohë sa ka nevojë.
“Jemi të vetëdijshëm se Ukraina po zhvillon një luftë të rëndësishme për të gjithë ne, kështu që ata po luftojnë për të drejtën e tyre për të jetuar në një vend sovran dhe të pavarur. Prandaj, meritojnë mbështetjen tonë në çdo mënyrë”, tha Petrovska.
Ministri slloven i Mbrojtjes, Marjan Sarec, nga ana e tij, duke theksuar se NATO do të jetë e suksesshme vetëm nëse qëndron së bashku, tha: “Duhet të jemi të vetëdijshëm se të gjithë së bashku mund të kemi sukses. Jam shumë i lumtur se nuk ka ndodhur vdekje truri e NATO-s”.