Spanjë/ Kandidoi për herë të dytë, Feijo nuk merr votat e mjaftueshme për t’u bërë kryeministër

schedule16:26 - 29 Shtator, 2023

schedule 16:26 - 29 Shtator, 2023

Udhëheqësi i Partisë Popullore të Spanjës, Alberto Núñez Feijo, dështoi për herë të dytë të sigurojë mbështetjen e shumicës në parlament, duke bërë që mbreti Felipe t’i dorëzojë mandatin socialistit, Pedro Sanchez, partia e të cilit doli e dyta në zgjedhje.

Udhëheqësi konservator i Spanjës dështoi sot, për herë të dytë në tre ditë, të sigurojë mbështetjen e nevojshme parlamentare për t’u bërë kryeministër pasi partia e tij fitoi zgjedhjet kombëtare.

Në një votim në Kongresin e Deputetëve të Madridit, dhoma e ulët e parlamentit të Spanjës, lideri i Partisë Popullore Alberto Nunez Feijo përsëri fitoi 173 vota kundër 177, pothuajse njësoj si dy ditë më parë, raporton Associated Press.

Partia Popullore mban 137 vende në Kongresin e Përfaqësuesve, më së shumti nga çdo parti tjetër pas zgjedhjeve të korrikut. Por edhe me mbështetjen e 33 deputetëve të partisë së ekstremit të djathtë Vox dhe dy rivalëve të vegjël konservatorë, kjo nuk mjaftoi për Feijo.

Sanchez do të marrë mandatin për të formuar një qeveri në Spanjë

Humbja e liderit konservator i hapi derën udhëheqësit socialist të qendrës së majtë, Pedro Sanchez, socialistët e të cilit dolën të dytët në zgjedhje, për t’u rikthyer potencialisht në pushtet nëse mund të bindë partitë më të vogla ta mbështesin atë.

Sanchez ka qenë kryeministër i Spanjës për pesë vitet e fundit dhe do të qëndrojë deri në formimin e një qeverie të re.

Zgjedhjet e korrikut rezultuan në një parlament të fragmentuar të përbërë nga 350 deputetë nga 11 parti, duke e bërë të vështirë rrugën drejt pushtetit për secilën prej tyre.

Qeveria në largim Sanchez ka zbatuar politika të guximshme në fusha të tilla si të drejtat e grave dhe ndryshimet klimatike, raporton AP. Ai shpalli zgjedhje të parakohshme në korrik pasi partia e tij rezultoi shumë dobët në zgjedhjet lokale dhe rajonale.

Për të siguruar një mandat tjetër, 51-vjeçari duhet të bindë deputetët e partive të majta, rajonaliste dhe separatiste që ta mbështesin atë. Negociatat për këtë mundësi kanë vijuar prej javësh.

Nëse nuk formohet asnjë qeveri deri më 27 nëntor, zgjedhjet e reja kombëtare do të mbahen më 14 janar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!