Gazetarja e kronikës, Etleva Delia, e ftuar në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla theksoi se operacionet e fundit të policisë kundër krimit të organizuar janë një sinjal për të çuar përpara punën dhe për të kapur kokat më të larta.
“Janë dhënë disa sinjale për një dëshirë për të çuar përpara punën e policisë dhe vullnet për të kapur kokat. Megjithëse se ka persona të caktuar që nuk do të arrihet tek kokat e tyre por të paktën për këtë lloj krimi dhe niveli që përcakton sigurinë e qytetarëve goditje të tilla janë serioze.”, u shpreh ajo.
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço theksoi se një problematikë që vjen prej këtyre grupeve është edhe cenimi i sigurisë kombëtare. Ai përmendi një operacion të pak ditëve më parë, sipas të cilit nuk është bërë bujë, kundër një grupi kriminal që blinin drogë nga grupe terroristë të Sirisë.
“Kam një listë që nga viti 2006, kemi 18 të penduar. Disa prej tyre janë dhe dënuar qe kanë referuar dhe më pas janë larguar. Disa janë të fshehur, ndryshojnë vendndodhjen për arsye sigurie. Sot kemi persona të dënuar me burgim të përjetshëm vetëm prej tyre. Do të kishim goxha problematika. Kur flasim për krim të organizuar flasim dhe për tregti armësh. Krimi i organizuar nuk njeh kufi. Ka qenë një operacion para disa ditësh kur policia ka kapur drogë që blihej nga grupet terroristë të Sirisë që vinte nëpërmjet një grupi shqiptar por lekët që çonin për të blerë atë lloj droge, bliheshin armë për luftime. Shikoni se si cenohen elementet e sigurisë.”, përfundoi Karamuço. /abcnews.al