“Kosova është nën sulm”. Kështu ka deklaruar presidentja Vjosa Osmani në një intervistë për Reuters të enjten, duke përsëritur se Serbia se qëndron pas sulmit të pak ditëve më parë në veri të vendit.
“Grupi i armatosur thjesht ushtroi synimet e Serbisë si shtet dhe Vuçiçit si udhëheqës”, tha Osmani. Ajo shton se Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe se po vepron për të përmbushur një ‘model të Krimesë’.
“Ajo që unë do t’i thosha presidentit Vuçiç është ndaloni ngatërresat me Kosovën. Kosova do ta mbrojë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj me çdo çmim. Ata po përpiqen të kryejnë një model të Krimesë në Republikën e Kosovës, por ne absolutisht nuk do ta lejojmë të ndodhë… [ne] do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës.”
Qeveria e Kosovës ka publikuar faktet që tregojnë se grupi ka qenë i trajnuar, i armatosur dhe ka marrë mbështetje nga qeveria e Beogradit dhe agjencitë e sigurisë.
Osmani tha se sulme të ngjashme mund të përsëriten edhe në një të ardhme të afërt dhe kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë gjithçka që Serbia të mos përkrahë grupe të tilla.
“Jam shumë e shqetësuar se sulme të tilla, qoftë edhe më të mëdha, mund të ndodhin në të ardhmen nëse Serbia nuk dënohet, para së gjithash për këtë akt terrorist agresioni”, tha ajo.