Shpërbëhet Nagorno-Karabakh, nga 1 janari 2024 shkrihen institucionet shtetërore

schedule11:26 - 28 Shtator, 2023

schedule 11:26 - 28 Shtator, 2023

Republika e vetëshpallur e Nagorno-Karabakh  njoftoi sot shpërbërjen e të gjitha institucioneve të saj nga 1 janari 2024, një javë pas sulmit të suksesshëm nga Azerbajxhani dhe pas 30 vitesh konflikt, sipas mediave të huaja.

Në një dekret të liderit të kësaj enklave, Samvel Sahramanyan shpallet shpërbërja e “të gjitha institucioneve dhe organizatave qeveritare më 1 janar 2024” dhe thuhet se, si rezultat, “Republika e Nagorno -Karabakh  pushon së ekzistuari”.

Separatistët armenë në Nagorno-Karabakh javën e kaluar pësuan një disfatë ushtarake brenda 24 orëve që i detyroi ata të kapitullonin ndaj Azerbajxhanit, vendit nga i cili u shkëputën kur BRSS u shemb më shumë se tre dekada më parë.

Armenia, e cila e mbështeti këtë territor për dekada, këtë herë nuk ndërhyri ushtarakisht, duke i hapur rrugën riintegrimit të këtij rajoni në Azerbajxhan.

Popullsia armene e Nagorno-Karabakh ka filluar një eksod: rreth 65,000 njerëz, gjysma e afërsisht 120,000 banorëve të enklavës, janë larguar brenda disa ditësh nga frika se do të jenë në shënjestër të Azerbajxhanit, pavarësisht premtimeve të Bakut për të respektuar të drejtat e tyre.

Në dekretin për shpërbërjen e republikës së vetëshpallur, lideri separatist thekson se, pasi të bëhen të ditura kushtet e kthimit të rajonit nën kontrollin e Azerbajxhanit, banorët dhe refugjatët do të mund të “marrin një vendim individual për të qëndruar ose për t’u kthyer në Nagorno Karabakh”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!