Pendarovski: Zvarritja e integrimit po lëkund besimin në BE

schedule17:13 - 27 Shtator, 2023

schedule 17:13 - 27 Shtator, 2023

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se zvarritja procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian po lëkund besueshmërinë ndaj bllokut, dhe kjo sipas tij paraqet kërcënim për demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

Në konferencën e Kartës SHBA-Adriatik (A-5) në Shkup kushtuar stabilitetin në rajon si dhe ngritjes së ndërgjegjësimit dhe gatishmërisë për mbrojtje kolektive kundër kërcënimeve më të mëdha, Pendarovski theksoi nevojën për shpejtimin e procesit integrimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

“Për fat të keq, zvarritja e integrimit evropian, për arsye të ndryshme, praktikisht në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, po lëkund besueshmërinë e Bashkimit Evropian. Ritmi i ngadaltë i procesit të integrimit në bllok është një nga kërcënimet për demokracinë në Ballkan. Disa sondazhe të opinionit publik tregojnë se mbështetja për organizatat dhe vendet me orientim perëndimor është në rënie dhe për herë të parë pas tre dekadash po rritet mbështetja për disa organizata të tjera rajonale dhe modele të tjera të menaxhimit”, theksoi Pendarovski në konferencën e komandës së forcave amerikane në Evropë dhe shefave të ushtrive të shteteve anëtare të Kartës Adriatikut (A-5), të mbajtur më 27 shtator.

Sipas Pendarovskit, zvarritja e integrimeve evropiane krijon rrezik për kërcënime hibride dhe rrënimin e stabilitetit të rajonit.

Në këtë konferencë u fol edhe për agresionin rus në Ukrainë, me ç’rast iu dha mbështetje sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Komandanti i Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë, gjenerali Christopher Cavoli, tha se pushtimi rus i Ukrainës tregon vlerën dhe rëndësinë e sigurisë kolektive dhe integritetit kolektivo-territorial.

“Të gjitha vendet që janë të pranishme këtu kanë programe të rëndësishme bashkëpunimi të përbashkëta dhe marrin pjesë si partnerë dhe aleatë në modernizimin e NATO-s në kuadër të konceptit të mbrojtjes kolektive. Pushtimi rus i Ukrainës na kujton gjithashtu se duhet të punojmë për stabilitetin çdo ditë. Ngjarjet që ndodhën së fundmi në këtë rajon tregojnë gjithashtu se ne të gjithë duhet çdo ditë të kontribuojmë për stabilitetin”, tha gjenerali Cavoli.

Pjesëmarrësit e konferencës kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ushtarak dhe për ruajtjen dhe forcimin e sigurisë në rajon.

Karta SHBA-Adriatik është krijuar më 2003 nga Shtetet e Bashkuara dhe ka për synim që të koordinojë aktivitetet mbështetëse për shtetet që aspirojnë të anëtarësohen në NATO.

Maqedonia e Veriut është pjesë e NATO-s dhe po ashtu ka hapur negociatat për anëtarësim në BE./REL