Zlatan Ibrahimovic është një luftëtar i lindur. 38-vjeçari ka shënuar 29 gola në MLS këtë sezon, por qëndron në vend të dytë. Në krye është Carlos Vela me 31 gola. Meksikani ka luajtur më shumë ndeshje dhe ky është shkaku që ai ka shënuar dy gola më shumë sipas Ibrës.
Një ndeshje ka mbetur për t’u luajtur deri në fund dhe gjiganti suedez nuk dorëzohet. Los Angelos Galaxy do të udhëtojë në transfertën e Houston Dynamo, aty ku të gjithë shokët e skuadrës do të bëjnë maksimumin për t’i mundësuar Ibrës shënimin e sa më shumë golave.
“Unë provoj të shënoj gol në çdo ndeshje, kjo është pjesë e përgjegjësisë time. Duhet të bëj gola për të ndihmuar skuadrën. Kam shënuar 29 herë në 28 ndeshje. Do të ishte ndryshe nëse do të kisha zhvilluar të njëjtin numër ndeshjesh me Velën.
Ekziston edhe një mundësi për të kapur me gola atë që ka luajtur më shumë se unë. Mosha? Kur nuk ma përmendin ndihem i lumtur dhe i ri. Sapo nisin e më flasin për moshën më duket vetja i vjetër. Nuk është asnjëherë e bukur kur ta kujtojnë moshën… ”, përfundon Zlatan Ibrahimovic prononcimin e dhënë për spanjollen AS. /abcnews.al