Allegri “karikon” skuadrën para sfidës ndaj Lecce: Pres një Juventus të motivuar

schedule17:36 - 25 Shtator, 2023

schedule 17:36 - 25 Shtator, 2023

Pas humbjes poshtëruese, 4 me 2, ndaj skuadrës së Sassuolo, “bardhezinjtë” e Juventus tashmë do të përballen ndaj “suprizës” së Serie A, Lecce, skuadër kjo ku aktivizohet dhe “legjionari” i Kombëtares sonë, Ylber Ramadani.

Në konferencën e zakonshme për shtyp, në kuadër të përballjes, trajneri i Juventus, Massimiliano Allegri vlerësoi kundërshtarët ndërsa i dha besim portierit Szczesny si dhe mbrojtësit Gatti që gabuan shumë në sfidën e fundit.

“Pres një Juventus të motivuar, të zemëruar dhe shumë të përqëndruar ndaj Lecce-s. Duhet të kthehemi te fitoret dhe të lëmë pas atë humbje të shëmtuar me Sassuolo-n. Në atë ndeshje kishte shumë gabime individuale dhe episodet përfshinë Szczesny-n dhe të tjerë që vendosën edhe rezultatin e ndeshjes.

Duhet kujdes me Lecce-n, është një skuadër e fortë, teknike dhe që ende nuk është mposhtur. Gatti duhet të harrojë gabimin sepse futbolli i njeh edhe gafat.

Më duhet të vlerësoj gjendjen e Kean, Chiesa, Vlahovic dhe Milik. Dusan është një talent i mrekullueshëm, por duhet të gjejë ekuilibrin. Futbolli nuk është matematikë dhe dikush rritet më shpejt, dikush më vonë.

Maturia arrihet në moshën 26 apo 27-vjeçare. Titulli? Inter, Milan dhe Napoli janë para të tjerëve, të paktën në letër. Ne duhet të jemi të aftë për të garuar për një nga katër vendet e para”,- u shpreh Allegri. /i.m /abcnews.al