Gjirokastra e gurtë deri në gusht ka pritur e përcjellë mbi 250 mijë vizitorë nga aneqark e botës. Kryetari i Bashkisë Flamur Golemi e cilëson të suksesshëm këtë vit dhe thotë se në Gjirokastër turizmi vijon edhe përtej verës. Deri në tetor hotelet e qytetit janë të prenotuara.
“Përtej numrit të rritur, Gjirokastra nuk ka një sezon turistik thjesht dy apo tre muaj. Pra është një sezon që shtrihet pothuaj në të gjithë vitin. Në 70 për qind të strukturave akomoduese edhe për muajin tetor është i rezervuar në booking.”, theksoi kryebashkiaku.
Risi këtë verë ishin ditët më të gjata të qëndrimit të turistëve.
“Nëse më parë kanë qenë thjesht grupe të huajsh që qëndronin thjesht një ditë në Gjirokastër, ka kaluar në më shumë se tre ditë. Didomos nga qershori deri në shtator, kemi turistë që qëndrojnë deri në një javë apo më shumë në qytet“, shtoi ai.
Zhvillimi i turizmit është shoqëruar me rritje të numrit të sipërmarrjeve te reja. Pavarësisht vështirësive për punonjës Golemi thotë se bizneset kanë ofruar shërbime cilësore për vizitorët.
“Sidomos në zonën historike, numri i bizneseve është rritur në mënyrë të ndjeshme në këto 4-5 vitet e fundit. Nëse futemi në booking, do të shikojmë vetëm në pjesën historike të kesh më shumë se 150 oferta të strukturave akomoduese”, tha Golemi.
Kalaja, muzetë dhe shtëpitë karakteristike shekullore jane nder atraksionet qe tërheqin turiste te shumte ne qytetin pasuria e te cilit prej vitesh mbrohet nga UNESCO./abcnews.al