Guvernatori i Sevastopolit i emëruar nga Moska, në gadishullin ukrainas të Krimesë, të aneksuar nga Rusia, paralajmëroi sot për mundësinë e një sulmi të ri raketor ukrainas pas atij të lëshuar dje nga forcat ukrainase në selinë e flotës ruse të Detit të Zi në qytet.
“Kujdes, rrezik raketash! Rrezik raketash!”, tha Mikhail Razvozaev në një postim në aplikacionin e mesazheve Telegram. “Mbyllni mirë dyert dhe mos dilni jashtë, as mos iu afroni dritareve”, tha ai, dhe u kërkoi atyre që janë në makina dhe në transport publik të strehohen.
Pak më vonë ai bëri të ditur se “rreziku ka kaluar”.
Razvozaev më herët kishte njoftuar se “fragmente” të një rakete ranë në periferi të Sevastopolit.
Kievi mori dje përgjegjësinë për një “goditje të suksesshme” në selinë e flotës ruse të Detit të Zi në Sevastopol, në Krimenë e aneksuar nga Rusia në vitin 2014, ndërsa Ukraina kërkon të zgjerojë betejën në gadishullin e rëndësishëm strategjik.
Sot ushtria ukrainase njoftoi se kishte vrarë ose plagosur “komandantët e rangut të lartë” të flotës ruse në sulmin e saj të djeshëm në selinë e flotës ruse të Detit të Zi në Sevastopol.
“Detajet e sulmit do të zbulohen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe rezultati i tij është dhjetëra të vdekur dhe të plagosur në radhët e forcave pushtuese, duke përfshirë komandantë të lartë të marinës”, tha ushtria ukrainase në një deklaratë.