Të paktën tre persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë lënduar për në provincën Sistan-Baluchistan të Iranit juglindor, e cila është përfshirë nga stuhitë e rërës për tre ditë.
Shërbimi meteorologjik i kësaj krahine paralajmëroi se erërat e forta dhe stuhitë e rërës do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
“Deri më tani, 1,346 njerëz nga qytetet Zabul, Zhaq, Hamoun, Hirmad dhe Nimruz kanë kërkuar ndihmë mjekësore urgjente në spitale dhe qendra mjekësore”, tha kreu i agjencisë së menaxhimit të krizave, Majid Mohebi, për agjencinë zyrtare të lajmeve Irna. Shumica e pacientëve kanë probleme të frymëmarrjes dhe zemrës ose acarim të syve, shtoi ai, duke sqaruar se tre persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku të shkaktuara nga mungesa e shikueshmërisë nga pluhuri.
Irani juglindor po përjeton gjithnjë e më shumë stuhi të tilla pasi ligatinat e tij të pakta thahen me një shkallë alarmante. Kjo situatë ka shkaktuar tensione diplomatike me Afganistanin fqinj, të cilin Teherani e akuzon se ka ulur ndjeshëm vëllimin e ujit të lumit Helmand që përshkon të dy vendet.
Irani, me një popullsi prej 85 milionë banorë, është një nga vendet më të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike. Provinca Sistan-Baluchistan shpesh goditet nga valët e të nxehtit dhe këtë verë një mijë njerëz u shtruan në spital pasi kishin probleme shëndetësore për shkak të rritjes së temperaturave dhe reve të pluhurit, raportoi Irna.