Armenia akuzon Azerbajxhanin për “spastrim etnik”

schedule09:21 - 22 Shtator, 2023

schedule 09:21 - 22 Shtator, 2023

Armenia akuzon Azerbajxhanin për “spastrim etnik dhe mizori masive” në Nagorno-Karabakh.

“Intensiteti dhe brutaliteti i sulmit të Azerbajxhanit e bën të qartë se ai kishte për qëllim spastrimin etnik të popullsisë armene në Nagorno-Karabakh,” tha ministri i Jashtëm armen Ararat Mirzoyan në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork.

Mirzoyan theksoi se, deri më tani, më shumë se 200 njerëz janë vrarë dhe 400 të tjerë janë plagosur, duke përfshirë civilë dhe veçanërisht gra dhe fëmijë.

Më shumë se 10,000 njerëz janë zhvendosur me forcë, shtoi ai. Mes tyre ka gra, fëmijë dhe të moshuar, të cilët janë detyruar të jetojnë në fshat pa ushqim.

Situata ka qenë shqetësuese për disa kohë, tha ministri i jashtëm armen. Por komuniteti ndërkombëtar nuk i kishte marrë seriozisht shenjat alarmante, argumentoi ai.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ishte përgjigjur në mënyrën e duhur, nënvizoi shefi i diplomacisë armene.

Të martën në mëngjes, Azerbajxhani nisi një operacion ushtarak në Nagorno-Karabakh për të vënë nën kontrollin e plotë enklavën e diskutueshme. Të mërkurën, separatistët armenë u dorëzuan.

/abcnews.al