Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu diskutoi sot me presidentin amerikan Joe Biden mundësinë e një “marrëveshjeje historike paqeje” me Arabinë Saudite, në takimin që të dy liderët patën në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Unë besoj se nën kujdesin tuaj, zoti President, ne mund të krijojmë një paqe historike midis Izraelit dhe Arabisë Saudite”, tha Netanyahu, duke vënë në dukje se një marrëveshje e tillë do të shënonte “pajtimin e botës islame me shtetin hebre”.
Biden vuri në dukje se, edhe një dekadë më parë, ideja e normalizimit të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite do të kishte qenë e paimagjinueshme. “Nëse unë dhe ti, 10 vjet më parë, do të flisnim për normalizimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite, mendoj se do të shikonim njëri-tjetrin si: “Kush ka pirë?”
Nga ana e tij, Netanyahu duke iu referuar indirekt por qartë reagimeve për reformën në drejtësi tha: Dua të rikonfirmoj këtu para jush, zoti President, se një gjë është e sigurt dhe një gjë nuk do të ndryshojë kurrë, dhe ky është angazhimi i Izraelit në demokraci.
Kritikët e kryeministrit argumentojnë se reforma çon në shkurtimin e pavarësisë së gjyqësorit, si dhe se ajo ndryshon në mënyrë të njëanshme sistemin gjyqësor duke minuar parimet dikur dominuese laike liberale të shtetit.
Presidenti amerikan i ishte shmangur takimit me Netanyahun që kur ky i fundit u bë kryeministër dhjetorin e kaluar, duke shprehur kështu shqetësimin me të cilin Uashingtoni i sheh disa nga zgjedhjet e lidershipit aktual izraelit.
Biden gjithashtu, duke thyer një traditë dekadash të ndjekur nga paraardhësit e tij, ende nuk e ka mirëpritur kryeministrin e Izraelit në Shtëpinë e Bardhë. Në vend të kësaj, ai priti presidentin izraelit Isaac Herzog, një post kryesisht ceremonial, në Shtëpinë e Bardhë në korrik për të shënuar 75 vjetorin e themelimit të Izraelit.