Irani liron pesë të burgosur amerikanë

schedule14:50 - 18 Shtator, 2023

schedule 14:50 - 18 Shtator, 2023

Pesë shtetas amerikanë që mbaheshin të ndaluar në Iran, pritet të lirohen sot dhe të largohen nga Irani me një avion të Katarit në shkëmbim të pesë iranianëve të ndaluar në Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve mes dy vendeve kundërshtare u ndërmjetësua nga Doha. Në marrëveshje gjithashtu përfshihet edhe zhbllokimi i fondeve iraniane prej 6 miliardë dollarësh nga një bankë koreanojugore.

Aeroplani i Katarit ishte në gatishmëri pasi Shtetet e Bashkuara dhe Iranit u njoftuan, sipas një burimi me dijeni për këtë çështje, se fondet iraniane ishin transferuar në llogaritë e një banke në Katar. “Të arrestuarit amerikanë po dërgohen tek avioni i Katarit”, tha burimi.

Zhbllokimi i fondeve mundëson shkëmbimin e të burgosurve në bazë të një marrëveshje të arritur pas disa muaj bisedimesh mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Dy vendet kanë mosmarrëveshje të thella lidhur me ambiciet bërthamore të Teheranit dhe çështje të tjera.

Pesë amerikanët me shtetësi të dyfishtë, amerikane dhe iraniane, do të dërgohen me avion në Doha dhe më pas do të nisen drejt Shteteve të Bashkuara. “Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore”, tha një zyrtar iranian me njohuri mbi procesin e lirimit të të burgosurve amerikanë.

Në shkëmbim, pesë iranianë të arrestuar në SHBA do të lirohen. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha se dy iranianë do të kthehen në Teheran, ndërsa dy do të qëndrojnë në SHBA me kërkesën e tyre. Një i burgosur do t’i bashkohej familjes së tij në një vend të tretë, shtoi ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani tha se fondet, të bllokuara në Korenë e Jugut pasi sanksionet amerikane ndaj Iranit u ashpërsuan në vitin 2018, do të jenë në dispozicion të Teheranit të hënën. Sipas marrëveshjes, Katari do të sigurojë që fondet të përdoren për blerjen e mallrave për qëllime humanitare. Deri tani nuk ka patur komente publike nga qeveria amerikane./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!