Për herë të parë prej vitit 2008, Sali Berisha ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 së bashku me Edi Ramën, ku vendosën sistemin proporcional rajonal dhe forcuan pozitën e kryeministrit duke e mbrojtur nga mocionet për shkarkim.
Në gjithë debatet që janë bërë më vonë deri para një viti Berisha ka qenë i vetmi që nuk lëvizte nga pozicioni i vitit 2008 dhe vazhdonte i mbronte ato. Edi Rama pranoi qysh më 2009 se ishte gabim që deformonte rezultatin sistemi i koalicioneve të përbëra, pasi shumëfishonte votën e një qytetari në favor të një koalicioni, apo dhe për listat e mbyllura.
Berisha nuk lëvizi kurrë nga pozicioni. Por dy ditë më parë, Berisha pranoi nga gjithë reforma e 2008, ndryshimin e nenit kushtetues për mocionin ndaj kryeministrit.
I frikësuar atëherë se mund ta rrëzonin të vetët brenda PD, që drejtoheshin nga Bamir Topi, Berisha shpiku që kryeministri nuk mund të rrëzohej me mocion mosbesimi nëse pala tjetër nuk paraqiste një qeveri të re me kryeministër dhe të votohej në kuvend. Praktikisht e bëri të pamundur dhe vazhdon të jetë e pamundur.
Reflektimi i Berishës tani është qesharak për dy arsye.E para se është diçķa që e ka bërë për vete dhe tani e gëzon Edi Rama, dhe duke menduar që nuk do të bëhet më kurrë kryeministër, do që kjo gjë të ndryshojë, pasi nuk ka pse gëzojnë të tjerët atë që ai e bëri për vete. Në këtë aspekt është thjesht banalitet më shumë se sa politikë. Pra është një akt i dëshpëruar i një plaku që nuk ka as kohë fizike as shanse politike të gëzojë një privilegj që ja ka garantuar vetes si kryeministër me kushtetutë dhe nuk do ta gëzojnë të tjerët.
Në fakt, nëse do Edi Rama mund ta ndryshojë vet atë klauzolë, se nuk është se i duhet. Ajo ka qenë thjeshtë një panik i Berishës nga Bamir Topi dhe donte të sigurohej të mos bëhej ndonjë shumicë kundër tij. Edi Rama nuk i ka këto probleme. Por Berisha po e kërkon me parimin, “pas meje qameti”, meqë ai nuk ja shikon dot më hajrin atij ndryshimi.
Arsyeja e dytë përse Berisha bën sikur është për ndryshime kushtetuese, ka të bëjë me një nismë të Dashamir Shehit, një propozim që e kanë firmosur dhe Lulzim Basha dhe shumë deputetë pro Berishës, të cilët kërkojnë lista plotësisht të hapura dhe shkurtim të zonave elektorale për të shkuar drejt një sistemi sa më të pastër proporcional.
Duke parë se shumica e deputetëve të opozitës e ka mbështetur atë propozim, Berisha nuk do të ndaj palët brenda opozitës duke u pozicionuar pro tij, apo pro Dashamir Shehit, dhe është gati ta firmos dhe atë propozim, duke shpresuar që nuk bëhet realitet.
Pra në të dy rastet motivet i ka tërësisht personale. Tek mocioni i kryeministrit, kërkon që atë privilegj që ja siguroi vetes të mos e gëzojnë të tjerët dhe tek listat e hapura, nuk do të identifikohet si pakicë në opozitë. Thjeshtë është i dorëzuar nga pamundësia për t’iu rikthyer kryeministër dhe frika që nuk bëhet dot as lider shumice në opozitë.