Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri nëpërmjet avokatit të tij ka bërë kërkesë për zënë afatet ligjore në gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Kërkesa është për të ankimuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së parë për Krime të Rënda.
Togat e zeza e shpallën fajtor ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për “Shpërdorim Detyre” dhe e dënuan me 3 vite shërbim prove. Kërkesa është dorëzuar pa shkaqet e ankimimit pasi gjykata nuk ka zbardhur vendimin, duke e argumentuar se do respektojë afatet ligjore prej 30 ditësh.
Më 2 Tetor kërkesë për zënie të afateve ligjore kanë bërë edhe avokatët e ish-drejtorit të policisë së Vlorës Jelad Çela.
Burime nga Prokuroria për Krime të Rënda konfirmojnë për Abc News se prokurorët do të dorëzojnë më 4 Tetor ankimim në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, kundër vendimit për ish-ministrin Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e policisë së Vlorës Jaeld Çela./ABC News Albania 24/7