Zëvendës kryeministrja, Belinda Balluku inspektoi këtë të mërkurë bashkë me kryetaren e bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, shkollën ‘Olsi Lasko’ në qytetin bregdetar. Shkolla e mesme është rikonstrukturuar tërësisht dhe nxënësit e nisën këtë vit shkollor me të gjitha kushtet e nevojshme.
Duke folur para nxënësve, Balluku tha se shkolla ka tashmë të gjitha kapacitetet moderne dhe se shpreson që tashmë nxënësit do të ndihen të motivuar për të mësuar akoma më shumë sepse kanë gjithçka që iu nevojitet’. Kjo është një nga 64 shkollat e programit ‘EU for school” që financohet nga BE.
“Kjo është një shkollë që ju sot do t’i merrni të gjitha frytet e kësaj infrastrukture për t’i bashkuar me mundin tuaj dhe me sakrificat, por nga ana tjetër do t’i shërbejë dhe të gjithë brezave të tjerë pasi i ka të gjitha kapacitetet moderne edhe për ekspansione të tjera. Kështu që ndihuni me fat, siç ndihemi ne me fat që ju kemi dhe që jeni kaq të mirë dhe që doni të kontribuoni për të ardhmen e Shqipërisë dhe ne me mbështetjen e miqve tanë e donatorëve sigurisht, Bashkimit Europian, UNDP do mundohemi të bëjmë më të mirën.
Qeveria shqiptare ka vite që investon fuqishëm në arsim për sa i përket infrastrukturës dhe në sport sigurisht, për sa i përket vendosjes së dinjitetit të mësuesve në vend, duke rritur pagat e tyre, duke krijuar transparencë dhe konkurrencë të drejtë përmes portaleve dhe jo emërimi i mësuesve që nuk arrinin të bënin detyrën e tyre, kështu që të gjitha këto janë një ndryshim shumë i rëndësishëm siç janë edhe kurrikulat jashtë shkollore të cilat ne po mundohemi që t’i fusim siç është kodimi, programimi, artet dhe zejet apo detyrat jashtë shkolle, të gjitha këto janë komponent të një strategjie që sot është e prekshme dhe nuk është vetëm fjalë.”, u shpreh Balluku./abcnews.al