Nëse jeni punëdhënës, ndoshta nuk ka asgjë më të mirë sesa të dini se punonjësit tuaj janë të lumtur. Nuk është gjithmonë e lehtë për t’u arritur, por kur arrihet, individët priren të bëhen më produktivë dhe krijues.
Sekreti për të punuar dhe për të qenë të lumtur nuk qëndron as në frymën e ekipit dhe as në promovimet sipas hulumtimit të bërë nga autori amerikan dhe profesori i Universitetit të Harvardit, Arthur Brooks. Sigurisht, ka elementë individualë që mund të nxisin një klimë të këndshme pune, por sekreti qëndron diku tjetër.
Në një intervistë për HBR, profesori i Harvardit arrin në përfundimin se një punonjës punon i lumtur kur merr shpërblim dhe vlerësim për arritjet e tij. Siç thekson ai, një pagë më e lartë nuk do të thotë domosdoshmërisht më shumë kënaqësi.
Shpërblimi moral është çelësi sepse në këtë mënyrë punonjësi ndjen se suksesi dhe mundi i tij “paguhen”. Siç shpjegon Brooks, “lumturia profesionale në përgjithësi është të dish që puna jote ka vlerë dhe po vihet re”.
Kur punëdhënësi shpërblen punën tuaj, rritet vetëvlerësimi dhe për rrjedhojë produktiviteti juaj, ndaj tani që e dini sekretin, është mirë të kontrolloni nëse ambienti ku punoni plotëson atë që ju nevojitet për të punuar me kënaqësi çdo ditë.
Nëse pozicioni në të cilin jeni sot nuk ju kënaq moralisht, nuk keni pse të qëndroni atje derisa të dilni në pension. Tendencat po ndryshojnë dhe tani punonjësit e rinj të ardhshëm dëshirojnë të fitojnë përvojë, njohuri, por edhe të ndryshojnë mjedisin e tyre kur mendojnë se nuk kanë më për të fituar më shumë se një pozicion.
Lënia e një pune nuk është një detyrë e lehtë, por duhet të mbani mendjen dhe sytë hapur në mënyrë që të provoni diçka të re dhe ndoshta shumë më të mirë. Punët tani ndryshojnë çdo 4 vjet ose më shumë, dhe punëtorët lëvizin nga një kompani në tjetrën për të fituar aftësi më të mira, perspektiva më të mira dhe, mbi të gjitha, psikologji më të mirë./abcnews.al