Shqipëria e femrave po bëhet gati për ndeshjen e së premtes me Portugalinë. Vajzat e drejtuara nga trajnerin Vioresin Sinani kanë një sfidë të vështirë, që nis prej orës 18:00. Sot kanë dalë para mediave dy prej lojtareve të kombëtares kuqezi.
Portierja Viona Rexhepi deklaroi: “Është një kënaqësi e madhe të përfaqësosh kombëtaren shqiptare. Të gjitha jemi krenare që e veshim këtë fanellë. Atmosfera në këtë skuadër është e mirë, fryma është shumë e ngrohtë, pozitive.
Kemi besim se mund të arrijmë rezultat pozitiv për dy ndeshjet e radhës. Në lidhje me kundërshtarët, Portugalinë nuk e njohim. Finlandën po, pasi luajtëm më herët dhe besojmë se do të bëjmë diçka. I ftoj të gjithë tifozët të vijnë të premten në ‘Elbasan Arena’, pasi kemi nevoje për mbështetjen e tyre”, është shprehur Rexhepi.
Në konferencë ishte edhe mbrojtësja Luçie Gjini, e cila tha: “Është e rëndësishme edhe rezultati, edhe loja e mirë. Na ndodh shpesh që bëjmë lojë të mirë, por nuk arrijmë rezultatin. Mendoj se është një ngërç, që duhet dhe do ta kalojmë. Kjo situatë na ndodhi edhe ndeshjen e parë me Finlandën, patëm një pjesë të parë jo shumë të mirë. Pjesën e dyte luajtëm më mirë, por pa pasur sukses në gjetjen e golit.
Ndonjëherë është edhe fati në mes për të fituar apo për të shënuar gol. Tifozët i falënderojmë shumë, pasi gjithmonë na kanë mbështetur. Kjo ka ndodhur edhe pse rezultati nuk ka qenë ai i dëshiruari. Do punojmë shumë dhe do të vijë edhe momenti ynë për të mos pasur frikë e të krahasohemi me skuadrat më të mira në futbollin e femrave”. /abcnews.al