Juan Cuadrado tashmë ndihet si një tifoz i Interit, pjesë e pandashme e familjes zikaltër. Pas asistit të parë, të bërë në fitoren 4-0 ndaj Fiorentinës, kolumbiani shkroi: “Vazhdojmë kështu, familja Inter”. Nuk ka vonuar përgjigja me shaka e Kristjan Asllanit, i cili ka lënë si koment “emojin” e kllounit…
Janë dy hipoteza: ose Asllani nuk e di mirë kuptimin e “emojit”, ose atmosfera në dhomat e zhveshjes së Interit është aq pozitive sa i lejon lojtarët të shajnë njëri-tjetrin në rrjetet sociale… Pas suksesit ndaj Fiorentinës, në fakt mesfushori shqiptar ia ka dhuruar “kllounin” Juan Cuadrados në Instagram, duke bërë bujë te tifozët zikaltër.
Juan Cuadrado tregoi një lojë të mirë kundër Fiorentinës. I aktivizuar në pjesën e dytë, kolumbiani shërbeu për Lautaro Martinez asistin e golit të fundit për 4-0 të Interit. Në dhomat e zhveshjes, mbrojtësi kolumbian ka dashur të nënvizojë momentin e mirë të përjetuar nga zikaltërit, duke postuar disa imazhe në profilin e tij në Instagram: “Fitorja para pushimit ishte e rëndësishme. Vazhdoni kështu si familje Inter, +3 pikë të rëndësishme falë Zotit”.
Ky postim i Cuadrados ka grumbulluar pëlqime nga ndjekësit. Mirëpo, tifozët e Interit nuk mund të mos e dallonin komentin e vetëm të lënë në postimin e Cuadrados nga Kristjan Asllani. Mesfushori shqiptar, në fakt, i është përgjigjur shokut të tij të skuadrës me “emojin” që paraqet një klloun.
Një zgjedhje ndoshta ironike, e cila megjithatë ngjalli bujë te mbështetësit e zikaltërve, të cilët më pas shpërthyen me komente. Më shumë se një mijë, për momentin, janë reagimet për “kllounin” e Asllanit.
“Emoji” i zgjedhur nga Asllani në fakt ka ndarë tifozët e Interit: shumë u shfaqën të argëtuar, ndërsa të tjerë u shprehën të shokuar. “Asla, çfarë po bën!?!?!” – pyet Sophie. “Po vdes, nderim i madh për Asllanin…”, – shton Imgre i kënaqur. “Asla, a je jashtë loje?”- e pyet Francesco. “Kristjan, a të kanë hakuar profilin?” – pyet Alexaldinho. “Jo Asla, nuk duhet ta ofendosh, ai nuk është më i Juventusit”, – shtoi Ilsoma./ h.ll/abcnews.al