Taksa e pronës, 6 miliardë lekë/ U arkëtua nga 1.2 milionë banesa në vitin 2022

schedule19:32 - 5 Shtator, 2023

schedule 19:32 - 5 Shtator, 2023

Taksimi i banesave në bazë të çmimit të tregut do të nisë zbatimin në 2026. Duket se tashmë janë përmbushur kushtet për të zbatuar këtë reformë të taksimit të pasurive të paluajtshme, e cila ishte planifikuar të niste më herët.

Në një raport, ministria e Financave analizon se shkak për këtë shtyrje të reformës së taksimit të pronave ka qenë tërmeti, pandemia si dhe bashkitë. Në raport thuhet se njësitë vendore nuk patën angazhimin e duhur në regjistrimin dhe përditësimin e të dhënave në sistem dhe për shkak të cilësisë së ulët të të dhënave.

Gjatë vitit të kaluar rezulton se janë faturuar rreth 1.2 milionë banesa një shifër kjo më e ulët se targeti i përcaktuar prej 1.3 milionë shtëpi të përcaktuara nga financat. Në total në vitin 2022, të ardhurat nga taksa e ndërtesave arritën në 6,1 miliardë lekë. Ministria e Financave analizoi se ka një ndërgjegjësim të tatimpaguesve për detyrimet e tyre.

Qeveria ka miratuar tashmë vendimin ku  janë ndryshuar të gjitha çmimet e referencave për banesat në vend duke i përafruar ato me çmimet e tregut. Siç është paralajmëruar më herët kjo do të ndikojë në rritjen e vlerës së taksës që paguhet për pasuritë e paluajtshme nga qytetarët dhe bizneset.

Sipas formulës në fuqi taksa e ndërtesës për familjarët është 0,05 % e vlerës së apartamentit, ndërsa për bizneset 0,15%./abcnews.al