Kryeministri i emëruar nga ushtria e Nigerit të hënën tha se shihte shpresa për një marrëveshje me bllokun e Afrikës Perëndimore ECOWAS, i cili ka kërcënuar të përdorë forcën për të rivendosur sundimin civil pas një grushti shteti në korrik.
“Ne nuk i kemi ndërprerë kontaktet me ECOWAS, ne po vazhdojmë kontaktet. Kemi shpresa të mira për të arritur një marrëveshje në ditët në vijim,” tha kryeministri Ali Mahaman Lamine Zeine në një konferencë shtypi në Niamey.
ECOWAS – Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore – ka vendosur sanksione të rënda kundër Nigerit pasi ushtarët rebelë më 26 korrik përmbysën Mohamed Bazoum, presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike të vendit.
Ato kanë paralajmëruar gjithashtu disa herë ndërhyrjen ushtarake për të rivendosur Bazoum-in, por vetëm nëse përpjekjet paqësore për të zgjidhur krizën dështojnë.
“Ne po përgatitemi të sulmohemi në çdo kohë. Është bërë çdo përgatitje. Do të ishte një luftë e padrejtë. Ne jemi të vendosur të mbrohemi nëse ka një sulm,” u tha Zeine gazetarëve.
Një pyetje kyçe në krizë është një afat kohor për kthimin në sundimin civil.
Presidenti nigerian Bola Tinubu – i cili është edhe kryetari aktual i ECOWAS – të enjten e kaluar sugjeroi një periudhë 9 mujore siç kaloi vendi i tij në fund të viteve 1990.
“Presidenti nuk sheh asnjë arsye pse një gjë e tillë nuk mund të përsëritet në Niger, nëse autoritetet ushtarake të Nigerit janë të sinqerta,” tha presidenca nigeriane në një deklaratë.
Algjeria, fqinji verior, ka propozuar një tranzicion 6 mujor.
Udhëheqësit ushtarakë deri më tani nuk i janë përgjigjur sugjerimeve, pasi më parë kanë folur për një periudhë kthimi prej tre vitesh.
ECOWAS ka mbajtur një qëndrim të ashpër në lidhje me Nigerin pas një kaskade grushtesh shteti në rajonin e tij që nga viti 2020.
Ushtria ka marrë pushtetin në Mali dhe Burkina Faso, ku si Nigeri, humbjet midis forcave të armatosura po rriten përballë një kryengritjeje të gjatë xhihadiste.
Një puç ndodhi gjithashtu në Guinea në vitin 2021 pasi presidenti 8 vjeçar i vendit, Alpha Conde, kandidoi për një mandat të tretë në detyrë, një lëvizje që kundërshtarët thanë se shkeli kufijtë kushtetues.