Inkriminimi, Trump sfidon demokratët që udhëheqin hetimet

schedule21:42 - 30 Shtator, 2019

schedule 21:42 - 30 Shtator, 2019

Ndërsa demokratët në Kongresin amerikan po përshpejtojnë proçedurat hetimore për inkriminimin, vetë presidenti Donald Trump është shfaqur të hënën me tone sfiduese, duke propozuar madje arrestimin e një prej ligjvënësve demokratë, që e akuzon atë për telefonatën me presidentin ukrainas.

Presidenti amerikan Donald Trump intensifikoi ditën e hënë sulmet ndaj ligjvënësit demokrat që udhëheq hetimet për inkriminimin e tij.

Në një reagim, kreu i shtetit e ka sugjeruar se kongresmeni Adam Shif, shef i komisionit parlamentar për shërbimet e inteligjencës, duhet të arrestohet për tradhti.

Më vonë gjatë javës një numër i konsiderueshëm dëshmitarësh pritet të paraqiten në Kongres, për të raportuar në seancat dëgjimore që lidhen me kërkesën që Trump i bëri homologut ukrainas për të hetuar figurën e Xho Bajden, që pritet të jetë sfidanti i tij në zgjedhjet e 2020-s.

Një zyrtar i shërbimeve amerikane të inteligjencës denoncoi bisedën telefonike të 25 korrikut mes Trump dhe Volodimir Zelenskij, e cila nuk ishte regjistruar në sistemin tradicional, por në një tjetër sistem të përdorur për informacionet e klasifikuara.

Përmes një seri postimesh në Twitter ditën e hënë, Trump iu referua pikërisht komenteve të bëra nga kongresmeni Adam Shif gjatë një mbledhjeje të komisionit të inteligjencës javën e kaluar.

Në fjalën e tij, Shif thoshte se telefonata dhe kërkesa e bërë ndaj Zelenskit ishte një taktikë klasike e krimit të organizuar.

“Kongresmeni Adam Shif bëri një deklaratë të rremë dhe të tmerrshme, duke ma adresuar mua si pjesë të telefonatës sime me presidentin ukrainas dhe e lexoi me zë të lartë para Kongresit dhe popullit amerikan. Ajo çfarë tha ai nuk kishte asnjë lidhje me atë që unë kam thënë në telefonatë. Mos duhet ta arrestojmë për tradhti?”, u shpreh Trump në profilin e tij./ABC News Albania 24/7