Eksperti për çështjet ekonomike, Selami Xhepa në një intervistë për emisionin “Sheshi i Dollarit” theksoi se politikat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë kanë minimizuar ndikimet negative të rënies së euros. Ai thotë se euro pësoi rritje për disa ditë si rezultat i masave që mori banka.
“Mendoj se zhvillimet janë diktuar edhe nga një politikë më aktive e Bankës së Shqipërisë nëpërmjet ndërhyrjeve në treg, që të ndikojë në minimizim e ndikimeve negativëe që ka pasur dobësimi i ndjeshëm i euros në raport me monedhës kombëtare për grupe të rëndësishme të operatorëve ekonomikë, në veçanti për eksportuesit. Unë ia dedikoj këtë lloj rikuperimi të vlerës së humbur të euros politikës aktive të Bankës së Shqipërisë, por një rënie kaq e fortë e euros mund të ketë nxitur një pjesë të kursimtarëve që kursimet i kanë pasur në monedhën kombëtare, të cilët duke përfituar nga një euro shumë e vlerësuar, mund të kenë zhvendosur kursimet në euro në pritje të transaksioneve të ardhshme të një euroje më të fortë, e cila me shumë gjasa do të realizohet në pjesën e mbetur të këtij viti.“, theksoi ai.
I pyetur se kur do të japin efekt masat e ndërmarra nga banka shqiptare, eksperti tha:
“Banka shqiptare ka deklaruar se do të jetë aktive pothuajse gjatë gjithë vitit nëpërmjet operacioneve të tregut të hapur, në tregun e këmbimit valutor, çka do të thotë se kjo prezencë e bankës mund të ketë efektet e saj. Nga ana tjetër, mendoj se politika duhet të jetë paksa më strukturore dhe afatgjatë në kuptimin që disa rregullime të reja të tregut valutor, në veçanti të transaksioneve me vlera të mëdha në pikat e këmbimit, ndoshta mund të mbahen në konsideratë nga banka si mënyra për të kontrolluar prurjen e parasë ilegale sepse siç e kemi theksuar zhvillimet e kursit të këmbimit janë diktuar në masë të madhe edhe nga fluksi i parave nëpërmjet kanaleve jo formale të ekonomisë.“, shtoi Xhepa.
Xhepa shtoi se është e vështirë të përcaktohet se si mund të jetë niveli i euros në vijim por theksoi se duke iu referuar eksperiencave të mëparshme, mund të pritet një monedhë kombëtare më e fortë. “Ndoshta një monedhë kombëtare më e fortë mund të pritet por se sa do të jetë pritet të shihet gjatë vitit të ardhshëm dhe në vazhdim.”, tha eksperti./abcnews.al