Shtyhet për dy muaj procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë

schedule13:48 - 23 Gusht, 2023

schedule 13:48 - 23 Gusht, 2023

Qeveria e Kosovës ka vendosur më 23 gusht që ta shtyjë për dy muaj procesin e regjistrimit të popullsisë, që tani do të nisë më 1 nëntor të këtij viti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e dhënë arsyetimin e këtij vendimi gjatë një seance të Qeverisë së Kosovës, tha se një sërë vonesash në proces e kanë bërë të pamundur nisjen e regjistrimit të popullsisë më 1 shtator.

Ai ka thënë se procesi është shtyrë shkaku i rezistencës nga Komisioni Qendror i Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

“Edhe pse përgatitjet u bënë përkundër rezistencës së prodhuar edhe brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor. Pra, [procesi do të fillojë] dy muaj më vonë për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) që me vonesat e shkaktuara t’i planifikonte detajet”, tha Kurti.

Kurti tha se në vonimin e procedurave ka ndikuar edhe vendimi i Qeverisë për ta trajtuar bashkëpunimin me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) si marrëveshje ndërkombëtare e jo “memorandum bashkëpunimi me një organizatë ndërkombëtare”.

Trajtimi i këtij bashkëpunimi si marrëveshje ndërkombëtare do të thotë që marrëveshja do të duhej të kalonte në Kuvendin e Kosovës me votat e dy të tretës së deputetëve. Opozita i ka bojkotuar propozimet e tilla që Qeveria i ka sjellë në Kuvend.

“Qeveritë e kaluara, në vitin 2011, për qëllim të regjistrimit të popullsisë, bashkëpunimin me një organizatë ndërkombëtare të cilës ia transferuan miliona euro për qëllime të prokurimit e bënë me një memorandum të thjeshtë bashkëpunimi. Mënyra e tillë e bashkëpunimit e cenon shtetësinë e Kosovës. Një gjë e tillë me qeverinë tonë nuk bëhej”, tha Kurti.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19.

Sipas regjistrimit të 2011-ës, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milion banorë. Por, në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin./rel