Viktima dhe të plagosur nga atentatet në ditën e zgjedhjeve në Afganistan

schedule18:51 - 28 Shtator, 2019

schedule 18:51 - 28 Shtator, 2019

Zgjedhjet presidenciale në Afganistan janë shënuar nga disa atentate të ndryshme, si pasojë e të cilave ka pasur viktima dhe të plagosur. Dhe pse qendrat e votimit tashmë janë mbyllur, rezultati zyrtar do të bëhet publik vetëm pas disa javësh.

Të paktën dy persona kanë mbetur të vrarë dhe disa të tjerë të plagosur në atentate të ndryshme në ditën e zgjedhjeve presidenciale në Afganistan. Sipas autoriteteve të plagosurit janë 17 në lindje të vendit, ndërsa në veri një minë e shpërthyer shkaktoi një viktimë dhe 3 të plagosur. Ndërsa një komisioner, ka humbur jetën pasi një raketë u hodh në një qendër votimi.

Për sa i përket atentatit të mëngjesit të së shtunës në Kandahar ku mbetën të plagosur 15 persona dhe një agjent policie, bomba ishte fshehur në një ndërtesë pranë një xhamie e cila përdorej si qendër votimi. Forcat e rendit arritën të zbulonin të paktën 31 eksplozivë të ndryshëm. Shpërthime të vogla janë sinjalizuar dhe në kryeqytetin Kabul, por nuk raportohet për të plagosur.

Janë rreth 9.5 milionë afganë me të drejtë vote ndërsa në të gjithë vendin janë ngritur rreth 5 mijë qendra votimi, në shkolla, xhami dhe pranë spitaleve ndërsa më shumë se 70 mijë agjentë policie janë në gatishmëri.

Talebanët kanë ndërmarrë një sërë atentatesh dhe ditët e fundit të fushatës elektorale. Dy kandidatët kryesorë janë presidenti në largim Ashraf Ghani dhe kreu i ekzekutivit Abdullah Abdullah. Të dy kanë ndarë pushtetin me njëri tjetrin në pesë vitet e fundit në një qeveri uniteti pasi në zgjedhjet e mëparshme u akuzuan për manipulimin e votave.

Rezultati zyrtar i votimit do të dojë disa javë për tu bërë publik, por janë të shumtë ata që i frikësohen një krize të re politike që mund të dëmtojë demokracinë e brishtë më  vend.

Qeveria afgane vendosi të përdorë për këto zgjedhje një sistem të sofistikuar identifikimi biometrik të votuesve që përfshin njohjen e shenjave dixhitale të gishtave, i projektuar për të shmangur që njerëzit të votojnë  më shumë se një herë apo në vend të të tjerëve./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!