Lazio pret Genoan nesër në Olimpico. Ekipi i drejtuar nga Simone Inzaghi do të tentojë fitoren për t’u ngjitur në renditje. Thomas Strakosha pritet ta nisë titullar si gjithmonë dhe kjo do të jetë një ndeshje speciale për portierin e Lazios.
Shqiptari do të zhvillojë ndeshjen numër 100 me fanellën bardhekaltër mbi supe. Një rekord i tillë bëhet i ditur nga mediat italiane.
24-vjeçari është pjesë e ekipit të parë të Lazios prej katër vitesh. Paraqitjet e tij kanë qenë gjithmonë mbi mesataren dhe porta e kryeqytetasve ka qenë e “blinduar” gjatë këtyre viteve.
Igli Tare pagoi 75 mijë euro te arkat e Panionios në vitin 2011 dhe transferoi Strakoshën tek ekipi i të rinjve të Lazios. Rritja e portierit shtatlartë ka qenë e madhe që prej asaj periudhe, ndërsa nesër do të arrijë numrin 100 me shqiponjën bardhekaltër mbi supe. /abcnews.al