“Shtëpitë e tmerrit”, që po turpërojnë shtetin e Rumanisë

schedule14:57 - 10 Gusht, 2023

schedule 14:57 - 10 Gusht, 2023

Pasi mori mesazhin shqetësues nga një i ri në hall për gjendjen e shokut të tij që po jetonte në një qendër sociale të kujdesit në pjesën qendrore të Rumanisë, Georgiana Pascu organizoi vizitën e improvizuar për të inspektuar këtë qendër.

“Në fillim ishim të sigurt se nuk kishte kurrgjë aty”, thotë Pascu, menaxhere e programeve në grupin për të drejtat e njeriut “Qendra për Burime Ligjore”. Ajo thotë se një ditë më herët, autoritetet shtetërore kishin kryer inspektimin e qendrës së kujdesit për njerëzit më të moshuar dhe me nevoja të veçanta. Nuk kishin gjetur asgjë,  transmeton Associeted Press. 

Mirëpo ajo çfarë zbuloi Pascu me kolegët e saj në qendrën e kujdesit në fshatin Bardesti, thotë ajo, “ishte e egër… çnjerëzore”.

“Ishte një grua e re që dukej e kequshqyer, nuk lëvizte dhe nuk fliste fare – ishte e shtrirë në bodrum”, thotë Pascu. “Ishte një tjetër grua që qante dhe kërkonte ujë”.

Organizata joqeveritare në fundkorrik gjeti gjashtë banorë në bodrumin plot rrëmujë të Shtëpisë së Vogël të Minit. Në bodrum kishte materiale ndërtimore, përveç 23 njerëzve që jetonin në katet e mësipërme. Katër banorë me nevoja të veçanta ishin të shtrirë në dyshekë të ndotur dhe plot miza. Ata “nuk mund të mbroheshin dhe nuk mund të kërkonin ndihmë”.

Tre anëtarë të Qendrës për Burime Ligjore lajmëruan shërbimet emergjente, pastaj erdhën ambulanca dhe policia. Pak orë më vonë një banor e drejtoi Pascun për te dhoma, të cilën ajo e përshkruan si “të vogël dhe të veçuar… me vetëm një shtrat”. Aty “po jetonin dy banorë pa drita artificiale apo natyrore”.

Skandali është pjesë e zbulimeve të rënda që kanë rrokur ballinat e mediave, duke shpërfaqur ndikimin që mund të ketë korrupsioni në shoqëri të brishtë si ajo e Rumanisë, shtet i cili u bë pjesë e Bashkimit Evropian në vitin 2007.

Një prej kushteve kryesore për hyrjen e Rumanisë në BE ishte lufta kundër korrupsionit endemik, por ky shtet mbetet një prej më të korruptuarve në BE, sipas “Transparency International”.

Bastisja policore

Në fillim të muajit korrik policia ka bastisur tri shtëpi të kujdesit në qytetin Ilfov afër Bukureshtit. Ka zbuluar abuzim çnjerëzor dhe neglizhencë ndaj personave të moshuar dhe me nevoja të veçanta. Pamjet e banorëve të lidhur për krevati, disa me shenja të abuzimit fizik, kanë tmerruar Rumaninë.

Në këto raste agjencia rumune kundër krimit të organizuar, DIICOT, ka njoftuar se dy grupe të krimit të organizuara të akuzuara për trafikim njerëzor ishin formuar në vitin 2020 për të “shfrytëzuar njerëzit me nevoja të veçanta”. Prokurorët kanë thënë se banorët iu nënshtruan punës së papaguar ndërmjet akteve të detyrimit, si dhe dhunës fizike. Ata kurrë nuk janë ushqyer mjaftueshëm.

Prokuroria ka nisur hetimet dhe ka thënë se janë më shumë se 20 të dyshuar në këtë rast.

DIICOT ka arrestuar tre persona pas detajeve në Shtëpinë e Vogël të Minit. Kjo shtëpi dyshohet se ka formuar grupin kriminal në vitin 2020 për të kryer “trafikim me njerëz”. Të gjithë banorët e kësaj shtëpie ishin cak i trajtimeve çnjerëzore me anë të agresionit fizik dhe mendor.

Banorët po shfrytëzoheshin nën emrin e shoqatës që kontrollonte përfitimet financiare nga shteti ose paratë që u dërgoheshin pacientëve nga miqtë dhe të afërmit, kanë njoftuar prokurorët. Në vend që paratë të shpenzoheshin për kujdesin e banorëve, ato janë përdorur kryesisht “për të mirën e anëtarëve të bandës”.

Dy zyrtarë lokalë janë shkarkuar nga puna pas skandalit dhe autoritetet kanë mbyllur shtëpinë e kujdesit.

Doru Constantin, zëdhënës i shërbimeve sociale në qytetin Mures, ka konfirmuar se Shtëpia e Vogël e Minit është kontrolluar nga inspektorët një ditë pas zbulimit nga organizata joqeveritare, por inspektorët nuk kishin gjetur asgjë “sepse nuk kishin qasje në bodrumin e ndërtesës”.

“Nuk mund të besoj se diçka e tillë mund të ndodhte në një shtet si i yni”, thotë ai.

Presidenti Klaus Iohannis zbulimet i ka cilësuar “turp kombëtar” dhe ka thënë se do të merren masa për të “shkulur rrënjët e së keqes”.

Një prej shefave të shtëpisë së kujdesit në Ilfov ka akuzuar DIICOT, paratë e banorëve po i shpërdoronte për prostituta, drogë dhe festa. Ai po hetohet për shpërdorim të detyrës nga Drejtoria Kombëtare kundër Korrupsionit, e cila është duke hetuar dy inspektorë socialë për korrupsion. Ata dyshohet se kanë kryer kontrolle në favor të të dyshuarit në muajin maj.

Ministri për Familje, Gabriela Firea, i cili raportohet se kishte lidhje të afërta me shefin e shtëpisë së kujdesit, është detyruar të japë dorëheqjen, ashtu si ministri i Punës, Marius Budai. Të dy kanë mohuar se ishin në dijeni për problemet në shtëpitë e kujdesit.

Alin Mituta, ligjvënës rumun në Parlamentin Evropian, në muajin korrik kishte kërkuar nga Komisioni Evropian nëse planifikonte të hetonte çështjen e abuzimit në shtëpitë e kujdesit. Ai ka thënë se ky rast shkelte direkt Kartën e BE-së për të Drejtat Themelore. Autoritetet përgjegjëse në Rumani, ka thënë Mituta, “ishin të informuara për këtë çështje, por nuk kanë ndërmarrë asgjë”.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, në një komunikatë të mërkurën ka thënë se Komisioni “është i shqetësuar nga rasti dhe se nuk ka vend për keqtrajtimin e personave të cenueshëm në BE”.

Skandali i shtëpive të tmerrit ka kthyer kujtimet për jetimoret e periudhës komuniste të Rumanisë pas ekzekutimit të liderit komunist Nicolae Ceausescu në vitin 1989. Në fillim të viteve ’90 pamjet e fëmijëve të braktisur në jetimore ishin transmetuar në krejt botën.

Bianca Albu, gazetare hulumtuese, e cila raportoi e para për rastin Ilfov para gjashtë muajsh së bashku me kolegun e saj Ovidiu Vanghele, ka thënë se hulumtimi i tyre nuk tërhoqi vëmendjen e autoriteteve në Rumani. Ajo ka frikë se “këto probleme po ndodhin në gjithë Rumaninë”.

“Është si sëmundje”, thotë ajo.

Kryeministri Marcel Ciolacu ka shprehur mirënjohjen ndaj organizatës joqeveritare që ka “ekspozuar abuzimet në sistemin tonë të mirëqenies”.

“Është e qartë se shteti rumun ka nevojë për ndihmë. Ne duhet ta mbyllim këtë kapitull abuzimi”, thotë ai.