Zyrtarët lokalë në Rusi thanë se të paktën 43 persona janë plagosur nga një shpërthim në një fabrikë optike në qytetin Sergiyev Posad, rreth 70 kilometra larg Moskës, më 9 gusht.
Gjashtë nga të plagosurit ndodhen nën përkujdesje intensive për shkak të djegieve të rënda dhe lëndimeve në kokë, sipas administratës së qytetit, shkruan REL.
Disa prej 43 personave të pranuar në një spital rajonal kanë marrë lëndime nga copëzat e metalit.
Kanali i pavarur në Telegram, Baza, shpërndau një video e cila shfaq një re të madhe tymi dhe e identifikoi ndërtesën e goditur si Fabrika Optike dhe Mekanike e Zagorskut, e cila prodhon mjete për shikim gjatë natës dhe mjete tjera optike për ushtrinë.

