Kaos në Sudan/ Mijëra trupa të dekompozuar në rrugët e Khartoum, rrezik për përhapjen e epidemive

schedule15:22 - 8 Gusht, 2023

schedule 15:22 - 8 Gusht, 2023

Luftimet midis ushtrisë sudaneze dhe forcave paraushtarake për katër muaj kanë lënë pas mijëra kufoma të dekompozuara duke ngritur frikën për shpërthimin e  epidemive në Sudan, ka paralajmëruar organizata joqeveritare Save the Children.

“Mijëra kufoma po dekompozohen në rrugët e Khartoum, ndërsa morgjet janë të mbipopulluara dhe përballen me ndërprerje të energjisë”, thuhet në një deklaratë të Save the Children.

Përleshjet midis ushtrisë së rregullt të udhëhequr nga gjenerali Abdelfattah al-Burhan dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë të udhëhequra nga gjenerali Mohamed Hamdan Daglo kanë vrarë 3,900 njerëz, sipas Acled, dhe kanë detyruar katër milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, për t’u bërë refugjatë në vendin e tyre ose jashtë vendit, sipas raportit të fundit të OKB-së.

Pamundësia e lëvizjes së kufomave për shkak të luftimeve dhe mungesa e energjisë elektrike që nuk lejon funksionimin e sistemit të ftohjes në morgjet e Khartoum-it i ekspozon dyfish banorët ndaj rrezikut të epidemive.

Nga 89 spitalet në kryeqytet, 71 janë jashtë funksionit dhe ato që janë në funksion janë shpesh objektiv sulmesh apo grabitjesh. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka regjistruar 53 sulme në objektet shëndetësore me 11 të vdekur që nga fillimi i luftës më 15 prill.

Prej muajsh, organizatat joqeveritare kanë dhënë alarmin se ujërat e ndenjura të sezonit të shirave, që nis në qershor, favorizojnë epidemitë nga malaria te kolera dhe ethet e dengës.

Sipas OBSH-së, shpërthime të kolerës dhe rubeolës janë identifikuar në zona të ndryshme të Sudanit.

Javët e fundit, luftimet janë përshkallëzuar në Khartoum, ku forcat ajrore kanë bombarduar zonat e banuara duke synuar bazat e forcave paraushtarake që janë përgjigjur duke sulmuar me drone.

/abcnews.al