Pas stuhisë në Slloveni, situata është ende kritike në disa pjesë të vendit. Në komunën e Chrenshovcit, në afërsi të fshatit Dolna Bistricë, një pjesë e argjinaturës ka lëshuar rrugën dhe, ndonëse zjarrfikësit kanë arritur të devijojnë ujin, sirenat kanë rënë sërish mbrëmë dhe është urdhëruar evakuimi i rreth 500 personave, raporton N1 Slloveni.
Ndërkohë gjatë natës lumi Mura ka filluar sërish të ngrihet dhe komandanti i njësisë lokale të zjarrfikësve Miroslav Vuk ka deklaruar se “të gjitha mundësitë janë të hapura në drejtim negativ”. Gjatë natës së kaluar zjarrfikësit kanë arritur të mbulojnë pjesërisht hapjen e argjinaturës me blloqe betoni, ndaj rrjedha e shpejtë është ndalur disi. Por Vuk thotë se ata po bëhen gjithnjë e më të pafuqishëm.
Nga ana tjetër, hapja që ka bërë Mura në digë sa vjen e shtohet, ndaj autoritetet frikësohen se nëse uji fillon të bartë dheun, diga do të shembet dhe vala e ujit do të përfshijë një duzinë fshatrash. Mura, sipas tyre, ka arritur nivelin më të lartë në dekadat e fundit. Departamenti i parashikimeve hidrologjike i Agjencisë Sllovene të Mjedisit (ARSO) pret që rrjedha e tij të stabilizohet në orët në vijim, por ende nuk do të ulet.