Një stuhi e fortë ka goditur Slloveninë, ku është lëshuar alarmi i kuq në pjesën verilindore, veriperëndimore dhe qendrore të vendit. Në gjysmën e dytë të ditës, priten rreshje më të dëndura të shiut.
Shumë rrugë në të gjithë shtetin slloven janë përmbytur dhe mbyllur për shkak të rreshjeve dhe rrëshqitjeve të dheut. Në disa komuna, banorëve u është kërkuar që të largohen në vende të sigurta ose të qëndrojnë në shtëpi.
“Fatkeqësisht, skenari më i keq po realizohet. Pjesë të Gorenjskës, Carinthia dhe Savinjska janë tashmë të prekura nga përmbytjet dhe situata po përkeqësohet për shkak të reshjeve.
Në shumë vende, më shumë se 200 litra shi për metër katror ka rënë në vetëm 10 orë”, tha metereologu, Rok Nosan.
Agjencia Sllovene e Mjedisit (Arso) ka lëshuar alarmin e kuq që është i vlefshëm deri në mesnatën e sotme për shkak të reshjeve, të cilat pritet të shkaktojnë përmbytje të mëtejshme.
Në disa zona tashmë është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Ndërkohë, komandanti i Mbrojtjes Civile të Sllovenisë, Sreçko Sestan, tha policia ka raportuar për disa të vdekur, por ende nuk ka informacion konkret për rrethanat.
/abcnews.al