Grafiti i ri “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” u shfaq në fund të korrikut në disa lokacione në Beograd. Nën këtë mesazh është pikturuar flamuri i Serbisë.
Një pankartë me të njëjtin mesazh është shpalosur edhe nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, gjatë një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina, më 26 korrik në Beograd.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar këtë veprim në ndeshje si thirrje për dhunë, ndërsa ka munguar reagimi i Beogradit zyrtar.
Grafiti në qendër të qytetit
Pos që mesazhi “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është shfaqur në stadium, para mijëra njerëzve, ai është shkruar edhe në disa vende të frekuentuara në qendër të qytetit.
Duke kaluar pranë njërit prej atyre grafiteve, Uroshi nga Beogradi i tha Radios Evropa e Lirë se ishte një mesazh i shëmtuar dhe se në ato fasada mund të vizatohej diçka shumë më e mirë.
“Nxitja, kujton disa prej gjërave negative”, tha ai.
Ai tha se nuk i pëlqen që nëpër mure po përhapet propagandë nacionaliste.
Milica Jovanoviq, banore e Beogradit, tha për Radion Evropa e Lirë se ajo i percepton këto mbishkrime si shpërfytyrime të qytetit. Ajo vlerësoi se dikush e shpreh patriotizmin e tij ashtu siç di.
“Mendoj se mesazhi nuk përkon me atë që është ky qytet, një qytet i mbushur me turistë, të huaj, nëse do të kthehemi me ushtri apo jo, nuk është diçka me të cilën duhet të merremi në rrugë”, tha ajo.
Sipas një sondazhi të Institutit për Çështje Evropiane të realizuar në gusht të vitit 2022, gjysma e të anketuarve (49.9 për qind), besojnë se nuk është e mundur që Serbia të rifitojë kontrollin dhe sovranitetin e plotë mbi Kosovën.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, të cilën Beogradi zyrtar nuk e njeh, por është duke zhvilluar bisedime me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve.
Në mesin e kalimtarëve ishte edhe Rade Grozdaniç, i cili tha për REL-in se “shkrimi i mesazheve të tilla është utopi e pastër”.
Ai deklaroi se iu desh të largohej nga Kroacia në vitin 1995 pas operacionit “Stuhia”, i cili i lejoi Kroacisë të rimarrë kontrollin mbi një pjesë të territorit të saj, ku serbët formuan të ashtuquajturën Republikë Serbe e Krajinës.
“Çfarë kthimi, çfarë Kosove, çfarë ushtrie, mendoj se ka gjëra më të bukura që u interesojnë njerëzve”, tha ai.
“Kur të kthehet ushtria në Kosovë” është varg i një kënge popullore.
Një qytetar i Beogradit, i cili është prezantuar si Miodrag, i tha Radios Evropa e Lirë se i kupton ata që shkruajnë mesazhe të tilla, por se nuk do t’i shkruante vetë.
“Ka nga ata që e përdorin për t’i ngatërruar njerëzit, mendoj se e bëjnë të rinjtë. Dikush e fut si temë, nuk mendoj se ata që e shkruajnë janë nga ata që lexojnë dhe shumë të arsimuar”, tha ai.
YIHR: Një mesazh kërcënues
Maja Zhiliq, koordinatore e programit të Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, YIHR (Youth Initiative for Human Rights), i tha Radios Evropa e Lirë se mesazhi “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shumë i qartë dhe shumë kërcënues.
“Sepse të gjithë e dimë se çfarë bëri ushtria serbe në vitet ’90 në Kosovë dhe çfarë do të thotë ky mesazh në kontekstin e sotëm të negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha ajo.
Policia serbe dhe ushtria jugosllave u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila u dha fund bombardimeve të NATO-s ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë.
Në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, zyrtarë të lartë serbë u dënuan për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë.
Serbia dhe Kosova në fund të shkurtit kanë pranuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit të Bashkimit Evropian dhe në prill palët kanë rënë dakord për Aneksin për zbatimin e saj.
Partitë dhe lëvizjet e djathta në Serbi e kundërshtojnë këtë marrëveshje.
Maja Zhiliç nga Nisma Rinore ka vlerësuar se mesazhi i grafitit “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, është se nuk ka rrugë paqësore për zgjidhjen e kontestit. Ajo theksoi se për këto grafite nuk ka asnjë reagim nga asnjë institucion në Serbi.
Grafite të reja si reagim ndaj ngjyrosjes në shkurt
Nuk dihet se kush qëndron mbrapa grafitit “Kur ushtria kthehet në Kosovë”, por postimet me fotot e tyre shpërndahen në kanalet e djathtistëve në Telegram. Gjithashtu, ato shpërndahen në postimet në rrjetet sociale të disa anëtarëve të partive të djathta.
Sipas atyre njoftimeve, grafite me këtë varg ka edhe në qytete të tjera të Serbisë.
“Duket se disa forca nga e djathta, pas aksionit të ngjyrosjes filluan ta lyejnë qytetin”, ka theksuar Maja Zhiliq.
Në shkurt, aktivistët e organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe shoqatës Krokodil, në parkun në sheshin Slavija të Beogradit, ngjyrosen grafitin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.
Tani, ky grafit është rishfaqur në të njëjtin vend.
Në një portal, i cili thuhet se është një portal informativ jozyrtar për të gjithë tifozët e Crvena Zvezdës, shkruhet se tifozët kanë krijuar grafite me atë mbishkrim në disa vende të Beogradit ditëve dhe javëve të fundit.
Në portal thuhet se ky është një reagim ndaj “shkatërrimit” të grafiteve pranë sheshit Slavija. Klubi i futbollit Crvena Zvezda nuk është prononcuar ndaj këtyre pretendimeve.
Zhiliq pranon se për të, si aktiviste, është shkatërrues që grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është rishfaqur në vendin ku ishte lyer.
“Sa mendojnë të rinjtë se përgjigjja për zgjidhjen e problemeve mes Serbisë dhe Kosovës është që ushtria të kthehet në Kosovë dhe të përsërisë të njëjtat që kanë ndodhur në vitet ’90”, pyeti ajo.
Maja Zhiliq thotë se përveç heqjes së këtyre grafiteve, duhet edhe më shumë edukim dhe punë me të rinjtë për këto tema për të ndryshuar perceptimin.
Në dhjetor të vitit 2022, Serbia i dërgoi një kërkesë KFOR-it, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, për kthimin e deri 1000 ushtarëve dhe policëve të saj.
Kjo kërkesë ishte bërë, siç thanë autoritetet në Beograd, për shkak të pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës. Beogradi i ishte referuar Rezolutës 12 44 të Kombeve të Bashkuara.
KFOR-i e refuzoi këtë kërkesë në fillim të janarit.
Ashtu si grafiti “Kur të kthehet ushtria në Kosovë” që po shfaqen tani në Beograd, nga fundi i vitit 2021 qyteti është përmbytur me vizatime të Ratko Mlladiçit, i dënuar i Hagës për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka konfirmuar 250 prej tyre, duke u bërë thirrje institucioneve kompetente që t’i largojnë ato./REL