Kina po ndihmon Rusinë të shmangë sanksionet perëndimore dhe ka të ngjarë që po i jep Moskës teknologji ushtarake me përdorim të dyfishtë për agresionin e saj në Ukrainë, thuhet në një raport të paklasifikuar të zbulimit amerikan të publikuar të enjten.
Vlerësimi nga Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar (ODNI) u publikua nga Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve.
Kina ka mohuar në mënyrë të përsëritur dërgimin e pajisjeve ushtarake në Rusi që nga fillimi i agresionit të Moskës mbi Ukrainën në shkurt të vitit 2022.
“Kina po ofron disa teknologji me përdorim të dyfishtë që përdoren nga ushtria e Kremlinit për të vazhduar luftën në Ukrainë, pavarësisht një kordoni ndërkombëtar sanksionesh dhe kontrollesh eksporti”, thuhet në raportin e ODNI-t. Raporti thotë se Kina është bërë “një partner edhe më i rëndësishëm” i Rusisë pasi Moska sulmoi Ukrainën vitin e kaluar.
ODNI thotë në raport se Kina dhe Rusia kanë rritur tregtinë dypalëshe në monedhën kineze dhe se institucionet financiare të të dy vendeve po zgjerojnë përdorimin e sistemeve të brendshme për pagesat. Kina ka rritur importin e energjisë ruse, përfshirë naftën dhe gazin. /VOA