Irani refuzon të pranojë ambasadorin e Suedisë pas incidentit të djegies së Kuranit

schedule20:35 - 22 Korrik, 2023

schedule 20:35 - 22 Korrik, 2023

Irani ka thënë se nuk do të pranojë ambasadorin e ardhshëm të Suedisë në Teheran ose të dërgojë të dërguarin e tij në Stokholm pas djegies së Kuranit në vendin nordik.

“Pas përfundimit të mandatit të të dërguarit suedez në Teheran, ne do të përmbahemi nga pranimi i pasardhësit të tij derisa të ketë një veprim vendimtar nga qeveria suedeze kundër shkelësit që nuk respektoi Kuranin”, tha Ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian të premten.

Në një njoftim të mëparshëm në fillim të këtij muaji, Amirabdollahian theksoi se Irani nuk do të dërgonte një ambasador të vetin në Stokholm. Më herët, Irani thirri ambasadorin suedez Matthias Lentz për të protestuar kundër përdhosjes së përsëritur të librit të shenjtë të Islamit.

Zëdhënësi i ministrisë, Nasser Kanaani tha për mediat vendase se ambasadori suedez u thirr për të shprehur “protestën e fortë” të vendit për “sakrilegjin” e Kuranit

“Ne dënojmë fuqishëm përdhosjen e përsëritur të Kuranit të Shenjtë dhe shenjtërive islame në Suedi dhe e bëjmë qeverinë suedeze plotësisht përgjegjëse për pasojat e nxitjes së reagimit të muslimanëve në mbarë botën. Vazhdimi i përdhosjes së vendeve të shenjta islame dhe përhapja e urrejtjes në këtë mënyrë konsiderohet një shembull i përsosur i dhunës së organizuar dhe një veprim armiqësor kundër dy miliardë myslimanëve të botës, njerëzve besimtarë të Zotit dhe pasuesve të feve qiellore”, tha zëdhënësi./abcnews.al