Drejtuesi i OKB-së paraqet axhendën për paqen në një botë shumëpolare

schedule07:25 - 21 Korrik, 2023

schedule 07:25 - 21 Korrik, 2023

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paraqiti të enjten propozimin e tij për t’u përballur me atë që e quajti një rend të ri botëror shumëpolar, të karakterizuar nga tensione gjeopolitike në rritje, konflikte dhe teknologji të reja.

“Kërcënimet e reja të ditëve të sotme ndaj paqes shtojnë kërkesat ndaj nesh”, u tha zoti Guterres përfaqësuesve të vendeve anëtare të OKB-së.

Ai tha se rekomandimet e tij, të paraqitura në një dokument politikash të titulluar “Një Axhendë e Re për Paqen”, kanë parasysh natyrën e ndërlidhur të shumë prej sfidave globale.

“Konfliktet janë bërë më komplekse, më vdekjeprurëse dhe më të vështira për t’i zgjidhur”, tha ai. “Vitin e kaluar ishte numri më i lartë i vdekjeve nga konfliktet në pothuajse tre dekada”.

Ai tha se sulmi i Rusisë në Ukrainë e ka bërë më të vështirë për të trajtuar shumë prej sfidave globale.

“Nëse çdo vend do të përmbushte detyrimet sipas Kartës së OKB-së, e drejta për paqen do të ishte e garantuar”, tha zoti Guterres. “Por, kur vendet i thyejnë ato zotime, ata krijojnë një botë pasigurie për secilin”.

Objektivat e zhvillimit

Sekretari i përgjithshëm tha se një nga çelësat për trajtimin e problemeve që po përjeton planeti është përshpejtimi i punës për axhendën 2030 – një plan me objektiva globale zhvillimi. Ai vuri në dukje se parandalimi i konfliktit dhe zhvillimi i qëndrueshëm mbështesin njëri-tjetrin.

“Nuk është koinçidencë që vendet e prekura nga konflikti janë më larg objektivave për zhvillimin e qëndrueshëm”, tha ai.

Ai shprehu shqetësimin për luftën bërthamore, që është rishfaqur me luftën e Rusisë në Ukrainë, dhe bëri thirrje për eliminimin e armëve bërthamore në përgjithësi.

“Deri në eliminimin e plotë, vendet që kanë armë bërthamore duhet të zotohen se nuk do t’i përdorin kurrë”, tha zoti Guterres.

Ai u bëri thirrje vendeve të pakësojnë shpenzimet ushtarake dhe të ndalojnë armët çnjerëzore dhe ato që shkaktojnë dëme në masë.

Teknologjitë e reja

Drejtuesi i OKB-së shprehu gjithashtu shqetësimin për teknologjitë e reja që ofrojnë potencial për progres të madh, por që gjithashtu në rastin e inteligjencës artificiale dhe të armëve autonome (të njohura ndryshe si “robotët vrasës”), janë “duke krijuar mënyra të reja me të cilat njerëzimi mund të eliminojë vetveten”.

Në këtë front, zoti Guterres tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të miratojë deri në vitin 2026, një instrument ligjor që do të ndalonte armë të tilla autonome. Ai mbështet gjithashtu idenë e krijimit të një entiteti të ri global për të shmangur rreziqet ndaj paqes dhe sigurisë nga inteligjenca artificiale. Ai e parafytyron këtë entitet me strukturë dhe mandat të ngjashëm me Agjencinë e Energjisë Bërthamore, e cila u krijua nga OKB-ja.

Sekretari i përgjithshëm tha se planifikon të krijojë një grup këshillimor të nivelit të lartë për të paraqitur opsionet në lidhje me qeverisjen e inteligjencës artificiale, i cili do të paraqesë raportin e tij brenda këtij viti.

Ndër rekomandimet e tjera, zoti Guterres bën thirrje për përfshirjen e grave në udhëheqje dhe vendimmarrje, duke vendosur kuota aty ku do të jetë e nevojshme.

Ai bën thirrje gjithashtu për një “reflektim të gjerë” mbi të ardhmen e operacioneve të paqeruajtjes së OKB-së. OKB-ja shpenzon miliarda çdo vit për misionet e saj paqeruajtëse, por me sukses të pakët. Dy nga misionet e saj më të mëdha – në Mali dhe në Republikën Demokratike të Kongos – janë duke u zvogëluar me kërkesën e vetë këtyre vendeve.

Zoti Guterres u bëri thirrje vendeve anëtare të OKB-së që të angazhohen në diskutimet për propozimet e tij. Në vitin 2024, Kombet e Bashkuara po planifikojnë organizimin e një Takimi të Nivelit të Lartë për të Ardhmen, që do të trajtojë rreziqet e ardhshme dhe mundësitë. Sekretari i përgjithshëm u tha vendeve anëtare se shpreson që rekomandimet e tij do t’i ndihmojnë në procesin e diskutimit dhe shqyrtimit./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!