Komisioneri Publik nuk ankimon vendimin për Olsian Çelën

schedule10:38 - 24 Shtator, 2019

schedule 10:38 - 24 Shtator, 2019

Komisioneri Publik ka vendosur që të mos e ankimojë vendimin e Vettingut për prokurorin Olsian Çela, i cili tashmë do të vijojë garën për kreun e ri të Prokurorisë së Përgjithshme. Nesër, pritet që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të bëjë miratimin e listës së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm që plotësojnë kriteret ligjore.

Prokurori Olsian Çela do vijojë garën për kreun e ri të Prokurorisë së Përgjithshme. Komisioneri Publik ka vendosur të mos ankimojë pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për prokurorin Olsian Çela.

Vendimi bëhet i ditur përmes një njoftimi për mediat nga zyrat e Komisionerit Publik. Të hënën, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, shtyu mbledhjen për të miratuar listën e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, pasi priste përgjigjen nga Komisionieri Publik për ankimimin ose jo të vendimit për prokurorin Çela.

Katër kandidatë kanë shprehur interes për postin e kreut të akuzës, Arta Marku, Fatjona Memçaj, Olsian Çela dhe Lulzim Alushaj. Prokurori Olsian Çela, i cili i konsiderohet dhe si rivali kryesor i kryeprokurores aktuale Arta Marku në garën e hapur për mandatin 7-vjeçar të Prokurorit të Përgjithshëm.

Tashmë pritet që Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mbledhjen e parashikuar për në datën 25 shtator, të miratojë kandidatët që plotësojnë kushtet ligjore për të vazhduar më tej garën për kryeprokuror pas vlerësimit paraprak.

Më pas do bëhet vlerësimi i tyre sipas sistemit të pikëzimit dhe do të jetë KLP ajo që do të vendosë nëse lista do të jetë me 3 apo me 4 kandidatë që do t’i dërgohen më pas Kuvendit për votim.

Në rast se Kuvendi nuk e zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm me shumicë të cilësuar prej 84 votash, atëherë Kryeprokuror i vendit do të zgjidhet kandidati i renditur i pari parë në renditjen e bërë nga  Këshilli i Lartë të Prokurorisë./ABC News Albania 24/7