Bota po “digjet” nga i nxehti, shkencëtarët: Ky është normaliteti i ri

schedule11:20 - 19 Korrik, 2023

schedule 11:20 - 19 Korrik, 2023

Temperaturat ekstreme që kanë përfshirë globin këtë javë janë realiteti i ri për shkak të ndryshimeve klimatike, sipas një paralajmërimi të Organizatës Botërore Meterologjike, duke shtuar se valët e të nxehtit në Europë mund të vazhdojnë deri në gusht.

Në 24 orët e fundit, termometri ka shënuar 50 gradë Celsius në disa zona ndryshme të SHBA dhe Kinës, ndërsa në Europë, si në Greqi dhe Spanjë  zjarret vazhdojnë të djegin zona pyjore dhe fshatra.

Autoritetet shëndetësore paralajmëruar miliona njerëz në mbarë botën për t’u përgatitur për valën e zgjatur të të nxehtit që kërcënon jetën e tyre. Edhe gjatë natës, temperaturat në shumë zona në Europë, si në Spanjën jugore dhe në SHBA, si Arizona, mbeten mbi 30 gradë Celsius, raporton abcnews.al

Kina theu përkohësisht rekordin e saj për temperaturën më të lartë ndonjëherë të dielën kur regjistroi 52.2 gradë Celsius në rajonin perëndimor të Xinjiang. Temperatura në Spanjën jugore të hënën arriti në 46 gradë Celsius. Vapa pritet të intensifikohet në Itali, ku termometri në Sardenjë arriti në 46 gradë Celsius.

Siç thekson Organizata Botërore Meteorologjike, edhe Europa Lindore parashikohet të bëhet më e ngrohtë. Shkencëtarët vlerësojnë se ndryshimi i klimës do të çojë në valë të nxehta më të gjata, më të rënda dhe më të shpeshta në mbarë botën.

“Ngjarjet ekstreme të motit kanë ndikime të rëndësishme në shëndetin e njerëzve, ekosistemet, ekonomitë, bujqësinë, energjinë dhe furnizimin me ujë”, tha sot Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike Profesor Petri Taala.

“Ne duhet të rrisim përpjekjet tona për të ndihmuar shoqërinë të përshtatet me atë që fatkeqësisht po bëhet normaliteti i ri.

Ky fakt do të thotë që emetimet e gazeve serrë duhet të reduktohen sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Nuk kemi më një klimë të qëndrueshme”

Shkencëtari kryesor britanik, Profesor Frederick Otto i Kolegjit Imperial në Londër, tha se, “ajo që po shohim tani është pikërisht ajo që presim në një botë ku ne jemi ende duke djegur lëndë djegëse fosile.

Temperatura mesatare globale është rritur tashmë me një gradë e gjysmë Celsius që nga Revolucioni Industrial, kur njerëzit filluan të djegin lëndë djegëse fosile si qymyri, nafta dhe gazi natyror, të cilat lëshojnë dioksid karboni në atmosferë, raporton abcnews.al.

Dr. Oto gjithashtu argumenton se ne nuk e kemi idenë se si do të jetë realiteti i ri sepse “nuk kemi një klimë të qëndrueshme”.

“Ne do ta dimë se si do të jetë realiteti i ri klimatik vetëm kur bota të ndalojë djegiet e lëndëve djegëse fosile dhe të kthehet në energjinë e gjelbër”, theksoi ai.

Sot, qendra e koordinimit të emergjencave të BE-së lëshoi ​​një “alarm të kuq” për temperatura të larta në pjesën më të madhe të Italisë, Spanjës verilindore, Kroacisë, Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës jugore dhe Malit të Zi.

Spitalet në të gjithë Italinë kanë parë një rritje të mprehtë të numrit të njerëzve që kërkojnë trajtim urgjent për shkak të vapës, ndërsa vala e të nxehtit vazhdon të godasë vendin, me temperaturat në Romë duke shënuar një rekord të ri.

Temperatura në kryeqytetin italian shkuar në 41.8 gradë Celsius duke thyer rekordin e mëparshëm prej 40.7 gradë Celsius të vendosur në qershor 2022. Siçilia shënoi sot  41 gradë Celsius. Disa spitale kanë raportuar një rritje prej 20-25% të numrit të pacientëve që janë shtruar në urgjencë.

Ministria e Shëndetësisë e Italisë ka vënë në alarm të kuq 23 qytete, duke përfshirë Romën, Firencen, Bolonjën, Barin, Catania, Cagliari, Palermo dhe Torino. Kjo lëvizje tregon se vapa është aq e fortë sa që konsiderohet një kërcënim për shëndetin e njerëzve në të gjithë popullsinë, jo vetëm të fëmijëve dhe të moshuarve.

Ministria italiane u bëri thirrje qytetarëve që të vishen me lino, të shmangin daljet në orët më të nxehta dhe të mos konsumojnë alkool, kafe dhe pije të gazuara.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!