Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, pas testimit për lëshimin e raketës balistike ndërkontinentale të “zhvilluar kundër SHBA-së”, ka njoftuar se vendi i tij do të rrisë kapacitetin raketor dhe të armëve bërthamore.
Sipas Agjencisë Qendrore të Lajmeve të Koresë së Veriut (KCNA), Kim ka bërë deklarata pasi ka ndjekur testin e lëshimit të raketës balistike ndërkontinentale me lëndë djegëse të ngurtë të tipit Hwasong-18, “të projektuar për të goditur SHBA-të”.
Në deklaratën e tij, Kim premtoi forcimin e kapacitetit raketor dhe të armëve bërthamore të vendit të tij dhe tha se testimi në fjalë është një “pjesë e përpjekjeve për vetëmbrojtje të vendit të tij kundër veprimeve ushtarake të papërgjegjshme të SHBA-së dhe Koresë së Jugut”.
Sipas liderit koreano-verior, siguria në Gadishullin Korean “kërcënohet në mënyrë serioze nga ana e fuqive armike”. Ai shtoi se do të fillohen një sërë lëvizjesh më të fuqishme ushtarake “kundër SHBA-së imperialiste dhe kukullës amerikane, Koresë së Jugut” deri kur ata të heqin dorë nga “politikat armiqësore” ndaj Koresë së Veriut.
Testimet e raketës balistike të Koresë së Veriut
Në deklaratën e lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut thuhet se Koreja e Veriut dje rreth orës 10.00 me kohën lokale lëshoi nga afër kryeqytetit Phenian një raketë balistike me rreze të gjatë” në drejtim të Detit të Japonisë.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare (NSC), që u mblodh në mënyrë urgjente, tha se Koreja e Veriut që kryen testim të raketës balistike do të paguajë koston e saj.
Ministria e Mbrojtjes e Japonisë njoftoi se raketa ka rënë 250 kilometër larg brigjeve të ishullit Hokkaido dhe jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë.