Vendi rrezikon të mbetet pa qeveri

schedule13:55 - 22 Shtator, 2019

schedule 13:55 - 22 Shtator, 2019

Spanja rrezikon të mbetet një vend pa qeveri. Sondazhet e fundit të mediave lokale tregojnë se edhe zgjedhjet e nëntorit, të katërtat në 4 vjet, nuk do të nxjerrin një fitues që do të mund të qeverisë i vetëm apo në bllok.

Partia Socialiste në Spanjë do të fitonte në zgjedhjet e Nëntorit dhe do të merrte më shumë vende në Parlament. Kështu thonë dy sondazhe të publikuara të dielën, sipas të cilave sërish socialistët nuk do të jenë në gjendje të krijojnë një shumicë parlamentare dhe do t’u duhet ndihma e partive të tjera për të formuar qeverinë.

Socialistët dolën të parët në zgjedhjet e muajit Prill, por që prej atëherë kryeministri Pedro Sanchez nuk ka arritur të formojë një qeveri me partitë e tjera dhe për pasojë 10 Nëntorin e ardhshëm vendi do të shkojë në zgjedhje, të cilat do të jenë të katërtat në 4 vjet.

Dy partitë tradicionale që kanë dominuar skenën politike që kur Spanja hyri në demokraci në vitet ’70, socialistët e PSOE dhe konservatorët e Partisë së Popullit, do të marrin sërish më shumë vende se partitë e tjera, sugjerojnë më tej sondazhet.

Pasojat do të bien mbi partitë e reja që kanë dalë pas krizës financiare si për shembull ajo e ekstremit të majtë “së Bashku Mundemi” dhe ajo e ekstremit të djathtë Qytetarët.

Konkretisht, sipas anketave të publikuara, socialistët do të fitojnë 11 vende më shumë, duke arritur në 134, më pak se mazhoranca e nevojshme prej 176 mandatesh. Ndërsa “së Bashku Mundemi” do të humbasë 5 vende.

Edhe në këtë rast, socialistëve nuk do t’u mjaftonte bashkëpunimi. Sondazhet tregojnë një skenar të ngjashëm edhe për partitë e tjera, ajo e Popullit dhe Qytetarët. Gjithashtu, ato pasqyrojnë tiparet e një vendi të vështirë për t’u qeverisur, me asnjë parti apo bllok politik në gjendje për të fituar një mandat të qartë për të drejtuar./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!