Sapo ka përfunduar derbi i Milanos mes Interit dhe Milanit e në “San Siro”, kanë qenë zikaltërit e Antonio Contes ata që kanë dalë me pikët e plota. Golat nga Brozoviç dhe Lukaku i dhanë Interit një fitore 2-0 përballë rivalëve të përjetshëm.
Ndeshja nisi mirë për të dyja skuadrat, që kishin rastet e tyre. Pjesa e parë, u mbyll e bardhë 0-0, por Milani kishte rastin ideal për të kaluar në avantazh. Suso kishte mundësinë të pasonte te Leao me portën e boshatisur, por zgjodhi të godasë vetë dhe mundësia u sfumua.
E dyta nisi shumë më mirë për Interin, që e dominoi këtë fraksion. Fillimisht ishte Brozoviç ai që shënoi, duke përfituar edhe nga një devijim i pavullnetshëm i Leao. Ndërsa në minutën e 77-të, Lukaku do të shënonte me kokë pas një harkimi nga Barella, duke vendosur dhe fatet e takimit./abcnews.al
Milan – Inter 0-2
Shënues: Brozoviç 49’, Lukaku 77’