Emergjenca e ujit në Uruguai po bëhet gjithnjë e më e keqe. Në vendin me 3.5 milionë banorë, i goditur nga thatësira më e keqe në 74 vjet, rezervat kanë rënë në 1.8% dhe qeveria e Presidentit Luis Lacalle Pou vlerëson se, nëse nuk bie shi, në më pak se dy javë kombi i Amerikës së Jugut do të jetë pa ujë të pijshëm.
Paso Severino, burimi kryesor i ujit të ëmbël për zonën më të populluar të vendit, me një kapacitet prej 67 milionë metra kub, arriti këtë të dielë në nivelin më të ulët historik prej 1,255,326 metra kub, që përfaqëson vetëm 1,87% të rezervave të tij, sipas asaj që raporton Ansa.
Pas shpalljes së një emergjence uji në zonën metropolitane të Montevideos, ku jeton më shumë se gjysma e popullsisë, qeveria muajin e kaluar njoftoi krijimin e një Fondi të Urgjencës së Ujit për të “siguruar që qytetarët të kenë të gjitha burimet e nevojshme” për t’u përballur me thatësirën.
Sipas Institutit Uruguaian të Meteorologjisë (Inumet) nuk parashikohet reshje shiu për këtë zonë në afat të shkurtër. “Ne kemi anomali pozitive të reshjeve në pranverë. Kjo do të sugjeronte se shirat e dendur dhe të përsëritur do të fillojnë në shtator,” tha drejtori i klimës Mario Bidegain.