Ukraina: Putin konfirmoi financimin e Wagner-it, “provë e drejtpërdrejtë” se ishte krah i paligjshëm i ushtrisë ruse

schedule09:21 - 3 Korrik, 2023

schedule 09:21 - 3 Korrik, 2023

Prokurori i lartë i Ukrainës ka theksuar se komentet e bëra nga presidenti rus Vladimir Putin në lidhje me pagesat për grupin Wagner ishin “si provë e drejtpërdrejtë” se mercenarët e Wagner ishin një krah i paligjshëm i ushtrisë ruse në luftë.

Ndërkaq kujtojmë se një javë më parë, Putin tha se Wagner dhe themeluesi i saj, Yevgeny Prigozhin, kishin marrë pothuajse 1.58 miliardë paund (2 miliardë dollarë / 1.84 miliardë euro) nga Rusia vitin e kaluar.

Prokurori i përgjithshëm ukrainas Andriy Kostin i bëri komentet në Hagë ku po merrte pjesë në hapjen e Qendrës Ndërkombëtare për Ndjekjen e Krimit të Agresionit të hënën.

Ndër të tjera zyrtari I lartë ukrainas është shprehur se përdorimi i mercenarëve nga shtetet në konflikt të armatosur është i ndaluar sipas Konventave të Gjenevës.

Ai ka thënë se mes më shumë se 93,000 incidenteve të krimeve të mundshme të luftës që po hetonte zyra e Kostinit, ishin edhe shumë mizori të kryera nga forcat e Wagnerit.

Ata janë “ndër krimet më të rënda kundër civilëve tanë dhe robërve tanë të luftës”, shtoi ai.

Kostin u bëri thirrje aleatëve, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë, që ta klasifikojnë Wagnerin si një organizatë terroriste në mënyrë që të ndiqet penalisht dhe të ngrihen asetet e saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!