Tepër e veçantë kjo nisje e garës së shkëlqyer.
Nuk dihet nëse kishte ndodhur ndonjëherë që dy vëllezër binjakë të luftonin për të fituar, por ja që ngjau edhe kjo, që në etapën e parë të Turit të Francës.
Adam Jejts (Yates) ia doli të mundte vëllain Sajmën (Simon) në etapën e parë prej 182 km me nisje dhe mbërritje në Bilbao.
Organizatorët zgjodhën pikërisht kryeqendrën e Vendeve Baske në Spanjë për të filluar garën më të vjetër të çiklizmit, dhe nuk u doli keq. Gjithçka në Bilbao dhe në rrugët e kodrat baske ishte e mrekullueshme.
Në një kombinim mes sportit dhe turizmit, kamerat fiksuan edhe çiklistët duke sfiduar njëri-tjetrin, por edhe plazhet dhe natyrën iberike në përgjithësi. Dy çiklistë të njohur u detyran ta braktisnin konkurrimin që në fillim. Këta ishin francezi Enrik Mas dhe ekuadoriani Riçard Karapaz, të cilët e pësuan më keq në një rrëzim.
Natyrisht, etapa e parë nuk përcakton thuajse asgjë, por sidoqoftë e bukur ishte lufta mes dy binjakëve britanikë, në moshën 30-vjeçare. Në vend të tretë slloveni i shkëlqyer Tadej Pogaçar që mori disa sekonda ndaj rivalit për fitoren përfundimtare, danezit Vingegard.
Ky i fundit fitoi vjet, ndërsa në dy edicionet e mëparshme fitoi Pogaçar. Ata patën një duel malor në Kodrën e Pikesë (Cote de Pike), që në fund u fitua nga slloveni.
Gjithsesi, Fanela e Verdhë historike i takoi një britaniku, Adam Jejtsit, që e veshi me krenari./ h.ll/abcnews.al