Raporti: Bjellorusia mund të jetë duke ndërtuar kamp ushtarak për Wagner

schedule11:08 - 2 Korrik, 2023

schedule 11:08 - 2 Korrik, 2023

Imazhet satelitore të analizuara nga Associated Press, tregojnë atë që duket të jetë një kamp i sapondërtuar i stilit ushtarak në Bjellorusi, ndërsa sipas deklaratave të një grupi gueril bjellorus dhe disa zyrtarëve, mund të përdoret për të strehuar luftëtarët e Wagner.

Imazhet e siguruara nga kompania “Planet Labs PLC” sugjerojnë se dhjetëra tenda u ngritën brenda dy javëve të fundit në një ish-bazë ushtarake jashtë Osipovich, një qytet 230 kilometra në veri të kufirit me Ukrainën.

Në një foto të realizuar më 15 qershor, nuk ka asnjë shenjë të strukturave të bardha dhe jeshile që janë qartësisht të dukshme në një imazh të datës 30 qershor.

Udhëheqësit e grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin dhe luftëtarëve të tij, iu ofrua strehim në Bjellorusi, javën e kaluar, pasi Minsk ndihmoi ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund asaj që dukej të ishte një kryengritje e armatosur nga grupi mercenar.

Trupat e Wagner-it që kishin luftuar përkrah forcave ruse në Ukrainë, morën nën kontroll një bazë ushtarake në Rusinë jugore dhe marshuan qindra kilometra drejt Moskës, në dukje, pa hasur rezistencë.

Presidenti autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, tha se vendi i tij, një aleat i ngushtë i Moskës dhe i varur prej saj, mund ta përdorte përvojën dhe ekspertizën e grupit Wagner dhe njoftoi se ai u kishte ofruar luftëtarëve një “bazë ushtarake të braktisur” për të ngritur kampin.

Aliaksandr Azarau, udhëheqës i grupit gueril “BYPOL”, i cili përbëhet nga ish-ushtarakë dhe është kundër Presidentit Lukashenko, tha për agjencinë e lajmeve të Associated Press, përmes telefonit, se pranë Osipovich po ndërtohej një vend për mercenarët e grupit Wagner .

Andriy Demchenko, zëdhënës i forcës kufitare të Ukrainës tha të shtunën për gazetën ukrainase “Ukrainska Pravda”, se në Bjellorusi mund të vendosen deri në 8,000 luftëtarë të grupit Wagner.

Lukashenko e ka lejuar më parë Kremlinin që ta përdorte territorin e Bjellorusisë për të dërguar trupa dhe armë në Ukrainë. Ai ka mirëpritur gjithashtu një prani të vazhdueshme të armatosur ruse në Bjellorusi, përfshirë kampe dhe stërvitje të përbashkëta ushtarake, si dhe dislokimin në vendin e tij të disa prej armëve taktike bërthamore ruse.

Zëdhënësi Demchenko tha se prej kësaj jave, rreth 2,000 trupa nga njësitë e rregullta të ushtrisë ruse ndodhen të stacionuara në Bjellorusi.

/abcnews.al